AKR-ja kërkon shumë
PDK-ja dhe AKR-ja ende nuk kanë arritur të merren vesh për ndarjen e pushtetit, përkatësisht për ndërtimin e koalicionit qeverisës në Komunën e Ferizajt. Këtë gjë nuk e kanë arritur as në takimin e së mërkurës. Kryetari i Komunës, Bajrush Xhemaili, ka thënë për “Express” se i ka ofruar një ofertë shumë serioze AKR-së. “U kam thënë se pazar nuk bëj. Ofertën e kam vlerësuar si një kontratë morale, ndërsa kemi qenë në bashkëqeverisje me këtë subjekt”, ka thënë kryetari Xhemaili, i cili nuk e ka fshehur dëshirën që, nëse AKR-ja nuk pranon ofertën, të qeverisë Komunën pa koalicion. “Ideja ime është që të qeverisim vetëm, për ta vënë në sprovë Asamblenë komunale, i bindur se kështu mund t’i ndihmojmë zhvillimet demokratike”, ka thënë kryetari Xhemaili.
Sipas kryetarit të Degës së AKR-së, Ramadan Hasani, PDK-ja nuk është treguar e gatshme t’i plotësojë kërkesat e tyre. AKR-ja ka kërkuar postin e nënkryetarit të Komunës dhe tri drejtori komunale. Si alternativë të kësaj kërkese, AKR-ja ka paraqitur edhe mundësinë e marrjes së postit të zëvendëskryesuesit të Asamblesë komunale dhe katër drejtori. Përkundër faktit që AKR-ja tash ka një këshilltar më pak, përkatësisht ka vetëm 5 këshilltarë, kërkesat e saj janë më të mëdha se nga marrëveshja që kishin këto dy parti gjatë qeverisjes së kaluar.
Kryetari i Degës së PDK-s, Ylber Topalli ka thënë për “Express” se kërkesat e partnerit qeverisës, përkatësisht AKR-së, janë të mëdha dhe si të tilla të parealizueshme. “Ideja jonë ka qenë që ta vazhdojmë koalicionin qeverisës me AKR-në, duke e vlerësuar si të suksesshëm për këto dy vite, por nëse nuk merremi vesh rreth ndarjes së pushtetit, ne kemi opsionin rezervë dhe nuk do të presim shumë”, ka thënë kryetari i Degës së PDK-së, Ylber Topalli. Ajo që i ka ofruar PDK-ja AKR-së, është e ngjashme me formulën aktuale qeverisëse. Edhe Ylber Topalli e pranon faktin se PDK-ja tashmë është e vendosur që të mos ia japë më AKR-së Drejtorinë komunale për Planifikim dhe Zhvillim. Në kompensim për këtë drejtori, PDK-ja i ka ofruar AKR-së Drejtorinë komunal për Shërbime publike dhe Emergjencë, ndërsa është pajtuar që Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe atë të Bujqësisë t’ia lërë AKR-së, bashkë me postin e zëvendëskryesuesit të Asamblesë komunale, post ky të cilin edhe e ka ushtruar Dr. Paulina Lumezi, por që për dy vite nuk ka pasur rast as dhe një minutë të udhëheqë Asamblenë!
Burime të konfirmuara mirë thonë se PDK-ja do ta presë vetëm edhe nesër AKR-në, ndryshe ajo do ta formojë qeverinë lokale me mbështetjen e përfaqësuesve të partive të vogla, të cilat në Asamble përfaqësohen me 5 këshilltarë. Asambleja komunale e Ferizajt ka 41 këshilltarë, ndërsa PDK-ja përfaqësohet me 15.