Kryetarët lojalë

Udhëheqësit e dy komunave të reja me shumicë serbe në Kllokot dhe Ranillug kanë deklaruar të premten se do të punojnë sipas ligjeve të Kosovës.
Sasa Mirkovic, i cili është zgjedhur kryetar i Kllokotit, beson se përmes decentralizimit banorët e kësaj komune do të kenë përfitime të shumëfishta.
“Shpresoj se me këtë proces decentralizimi do të ketë ndryshime në komunën e Kllokotit dhe se unë, bashkë me ekipin tim, do të punojmë me përgjegjësi të plotë për një zhvillim ekonomik, uljen e papunësisë, infrastrukturën rrugore, si kanalizimin, ujësjellësin e të tjera”, ka thënë ai, gjatë një debati që është mbajtur në qendrën mediale në Çagllavicë, ku mori pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
Ndërkaq, Gradimir Mikic, kryetar i Komunës së Ranillugut, tha se i kishte dëgjuar premtimet e Beogradit që 10 vjet, por në terren nuk kishte parë ndryshime.
Për këtë arsye, ai tha se kishte dalë në zgjedhje dhe tash garanton një zhvillim dhe përmirësim të kushteve të jetesës për të gjithë banorët e kësaj komune të re, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
“Mund t’ju garantoj se do të ketë përmirësime në çdo fushë të jetës në komunën e Ranillugut”, ka thënë Mikic.
Ministri Ferati u shpreh i inkurajuar me faktin se shumë serbë nuk i përfillën thirrjet e Beogradit për bojkot të zgjedhjeve.
Ndërkaq, ai nuk dha ndonjë vlerësim të prerë nëse Qeveria e Kosovës po e fiton betejën për decentralizimin dhe përfshirjen e serbëve, pavarësisht kundërshtimeve që vijnë nga Beogradi.
“Mendoj se kanë fituar qytetarët e këtyre lokaliteteve, sepse tash do ta kenë Komunën e tyre, do të menaxhojnë me të gjitha ato kompetenca, do të shndërrohen në njësi - komuna efikase, do të menaxhojnë me buxhetin që e kanë dhe, për një kohë të shkurtër, do të shihet se do të ndikohet drejtpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve. Prandaj, këtu fitues është qytetari”, tha Ferati.
Ministri Ferati tha se aktualisht po zhvillohen konsultime edhe me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje edhe për komunat në Veri, ku nuk kishte dalje të serbëve në zgjedhje.
Ai tha se vendimi për komunat veriore nuk është aq i lehtë, por, sidoqoftë, do të ketë një vendim dhe ai do të jetë konform ligjit. “Nuk është ministria dhe nuk jam unë i vetmi faktor i përfshirë në të gjitha këto konsultime. Unë po besoj se shumë shpejt, mbase brenda javës së ardhshme, do ta kemi një qëndrim, me të cilin do të informohet edhe opinioni. Vërtet është një situatë jo e lehtë, është shumë komplekse”, ka thënë Ferati.