E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKR kërkon zbatimin e marrëveshjes për reformat kushtetuese

AKR-ja kërkon që të miratohet reforma kushtetuese në përputhje me të gjitha pikat e Marrëveshjes mes tre liderëve të arritur vite parë.

Sipas një deklarate për shtyp të kësaj partie, AKR-ja kërkon që të miratohet një amendament i ri i përkohshëm që të parashikojë zgjedhjen e presidentit nga populli, menjëherë pas reformës kushtetuese.

“AKR-ja, mendon se respektimi i kësaj Marrëveshjeje, respektimi i Kushtetutës dhe institucioneve, sipas kësaj rruge, do të ishte kontribut për përmirësimin e klimës politike në kushtet e sotme. Në kushtet kur një pjesë e opozitës kërkon dorëheqjen e Presidentes, zonjës Atifete Jahjaga; Në kushtet kur dorëheqja e saj do të impononte zgjedhjen e kreut të ri të shtetit sipas Kushtetutës në fuqi, duke sjellë skenarë të rinj krize; Në rrethanat në të cilat gjendet Kosova, kur vendit tonë i nevojitet ulja e tensionit politik të brendshëm për t’u përkushtuar në sfidat e shtetformimit, të marrëdhënieve të mira me fqinjët,, dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare; me disponimin që klasa politike të respektojë marrëveshjet politike mes liderëve që të shtohet kështu besimi i popullit tek politikanët si njerëz që mbajnë fjalën”, thuhet në këtë deklaratë të partisë që është në koalicion me partinë në pushtet.

Andaj, AKR kërkon që “Të realizohet një zgjidhje kompromisi në lidhje me mandatin e Presidentes. Kjo zgjidhje duhet dhe mund të bëhet sipas idesë së Kryetarit të Komisionit për reformën kushtetuese, Profesor Arsim Barjamit. Bashkë me amendamentet e tjera, të miratohet një amendament i ri i përkohshëm, me një tekst të ri, i cili të parashikojë gjithsesi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale nga populli 6 muaj pas miratimit në parlament të amendamenteve kushtetues. Nëse palët nënshkruese të Marrëveshjes do t’i mbahen këtij zotimi për t’i dërguar amendamentet drejt e në seance plenare, atëherë kjo reformë kushtetuese me rëndësi për fatet e vendit do të miratohet”.

Në fund AKR ka propozuar edhe zgjidhja që i pozicionet e palëve.

“Kjo zgjidhje shmang mundësitë e zgjedhjeve të parakohshme që mund të vinin prej dështimit të zgjedhjes së presidentit nga parlamenti, nëse zonja Jahjaga do të jepte dorëheqjen. Kjo zgjidhje ruan dinjitetin e Presidentes Jahjaga. Kjo zgjidhje ruan besueshmërinë e popullit tek politika, që din të mbajë fjalën e dhënë, din të respektojë premtimet dhe marrëveshjet politike. Miqtë tanë ndërkombëtarë do ta mbështesnin çdo zgjidhje e cila jo vetëm që e ruan stabilitetin e institucioneve në kuadër të sfidave që ka Kosova, por dhe e forcon këtë stabilitet. Kjo zgjidhje është një kontribut i AKR-së për Kosovën, e cila menjëherë pas mbarimit të Pavarësisë së mbikqyrur do të jepte prova se di të zgjidhë krizat dhe të përparojë drejt modernizimit të shtetit”, thuhet në fund të deklaratës së AKR-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›