AKSK bllokon skemën mashtruese në emër të Postës Shqiptare: Kujdes me mesazhet e rreme

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ndërhyrë menjëherë për të bllokuar një skemë mashtruese që kishte për qëllim vjedhjen e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë. Kjo skemë shfrytëzonte mesazhe të rreme, të dërguara në emër të Postës Shqiptare, duke u kërkuar përdoruesve të jepnin informacionin e tyre bankar.
AKSK njoftoi se domaini i rrezikshëm i përdorur për këtë mashtrim është raportuar dhe dërguar menjëherë për bllokim pranë AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare).
Autoriteti thekson rëndësinë e vigjilencës dhe u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta. Kjo përfshin çdo link apo faqe që shfaqet e dyshimtë, pavarësisht sa e besueshme duket në pamje të parë.
AKSK vijon monitorimin e ngushtë dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për mashtrim digjital. Siguria kibernetike mbetet një prioritet për të mbrojtur të dhënat dhe financat e qytetarëve shqiptarë.
/rtsh.al/