AKU: E pavërtetë deklarata për hedhje në treg të lëpirëseve me prani gozhde

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit reagoi sot lidhur me deklaratat mbi mosbllokimin nga AKU të produktit lëpirëse për fëmijë, “të supozuar me prani gozhde”.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se deklarata është e pavërtetë dhe e pabazuar në fakte.
AKU bën të ditur se, produkti nuk është importuar në Republikën e Shqipërisë dhe për pasojë nuk është shpërndarë në tregjet e vendit tonë.
“Sqarojmë opinionin publik se për këtë produkt, njoftimi nga sistemi RASFF ka ardhur më datë 18.1.2024, ku Shqipëria është etiketuar për ndjekje. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, AKU ndërmori hapat për verifikimin e rastit në terren dhe verifikimin e dokumentacionit të importit nga Pikat e Inspektimit Kufitar (P.I.K)”, bën të ditur AKU.
“Pas shqyrtimit të të dhënave nga PIK, rezultoi se produkti “Johny Bee Strawberry Pop Lizak z mini drażetkami o smaku truskawkowym” (lëpirëse/ mini karamele, me luleshtrydhe) me LOT: KD4354 dhe Datë Skadence: 29/04/2026, nuk është importuar në Republikën e Shqipërisë dhe për pasojë nuk është shpërndarë në tregjet e vendit tonë”, thekson AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se, është në gatishmëri të plotë në kryerjen e misionit të tij, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.
/r.e/