E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama ndan pamje nga Përmeti sot, plot me turistë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Përmetit, i cili është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar nga turistët e huaj.

I vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, qyteti shtrihet thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Përmeti ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në Përmet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat, si ajo e Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.

Ndërsa vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›