AKU Shqiperia aspak e rrezikuar nga bakteri E.Coli
Autoriteti Kombetar i Ushqimit deklaroi sot se Shqipëria nuk është aspak e rrezikuar nga bakteri E.Coli, i cili ka prekur disa vende evropiane së fundmi.
Në një deklaratë të AKU-së thuhet se “Autoriteti Kombetar i Ushqimit është pjese e RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed), i cili është sistemi i lajmërimit të shpejtë. Në momentin që në një vend anëtar të RASFF ka informacion për rrezik shëndetësor të rëndësishëm i cili derivon nga produktet ushqimore apo ushqimet për kafshë, menjëherë njofton Komisionin Europian dhe të gjitha vendet anëtare për këtë rrezik. Ky informacion është i vazhdueshëm dhe në kohë reale. AKU ka njoftuar pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin për mos lejimin e importit të produkteve që dyshohet se janë të ndotura me këtë bakter në territorin e Republikës së Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka në funksionim sitemin e njoftimit 48 orë përpara mbërritjes për cdo produkt ushqimor, që parashikohet të importohet. Përvec kësaj në në pikat e kalimit kufitar stafi i inspektorëvë është i trajnuar dhe kryen të gjithë veprimet për kontrollin e produkteve konform rregullave që kanë dhe vëndet e BE. Kjo do të thotë se është shumë e vështirë, për mos të thënë e pamundur që produkte me probleme për sigurinë e konsumatorit të importohen.
AKU bën me dije se më tani nuk ka pasur asnjë rast të infektimit me bakterin E.Coli dhe ky institucion po merr të gjitha masat për parandalimin e këtij fenomeni.
- “Është shumë e rëndësishme të theksohet se vendi ynë nuk është importues i produkteve bimore të tilla si kastraveci apo sallata jeshile nga vendet e BE të cilat janë të prekura bakteri në fjalë. Institucioni në mënyrë të vazhdueshme është vigjilent dhe pararojë përsa i përket zbatimit të Kushteve të Përgjithshme dhe Specifike të Higjienës nga ana e operatorit të biznesit ushqimor, kryen inspektime në mënyrë konstante duke filluar që nga stabilimentet e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, mishit, peshkut, frutave/perimeve, bukës e ujit e deri tek ushqimet për kafshë. Pra AKU ka marrë të gjitha masat e kontrollit në të gjitha stadet e zinxhirit ushqimor që nga prodhimi bujqësor në fermë, tek përpunimi, tregtimi dhe përgatitja e ushqimit tek stabilimentet tregtare”, thuhet në deklaratën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i cili gjithashtu ju bën thirrje të gjithë konsumatorëve të jenë shumë të kujdesshëm në jetën e tyre të përditëshme duke zbatuar me përpikmëri kërkesat e higjenës.