AKU bllokon 75 tonë misër për kafshë nga Serbia, me prezencë fetoksine

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 75 tonë misër për kafshë, të ardhur nga Serbia, pas analizave paraprake që tregojnë prezencë të fetoksinës, një substancë e rrezikshme për shëndetin e kafshëve.
Drejtori i AKU Shkodër, Ramir Haderi, tha për mediet se ky bllokim është pjesë e një kontrolli të përforcuar ndaj produkteve ushqimore të importuara nga Serbia.
“Çdo produkt që mund të rrezikojë shëndetin e kafshëve apo konsumatorëve nuk do të lejohet të hyjë në tregun shqiptar. Aktualisht po presim rezultatet përfundimtare laboratorike për të marrë vendimin përfundimtar”, u shpreh Haderi.
Kontrollet e AKU-së janë zgjeruar edhe në farmacitë bujqësore në Shkodër, ku janë dhënë 6 masa paralajmëruese pas inspektimeve të rreth 15 subjekteve, për sigurinë e produkteve dhe etiketimeve të tyre.
AKU njofton se monitorimi i importit do të intensifikohet në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar futjen e produkteve potencialisht të rrezikshme në tregun vendas.
/e.xh/r.e/a.f/