E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Nga 1 janari paga minimale 500 euro, hilet e punëdhënësve të denoncohen tek Tatimet

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi tha sot se nga 1 janari paga minimale në sektorin publik dhe privat do të jetë 500 euro, ndërsa premtoi se “nuk e mbarojmë këtë mandat pa e çuar në 700 euro pagën minimale”.

Në një dëgjesë me banorët e Njësinë nr. 5 në Tiranë, Rama tha se “në mënyrë që punëdhënësit të marrin kohë për ta sistemuar këtë rritje, 9 muajt e parë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore të të gjithë atyre që sot e kanë pagën nën 500 euro do t’i paguajë qeveria”.

Kreu i qeverisë tha se ka punëdhënës që u hyjnë në hak punonjësve.

“Kur vjen puna tek paga minimale fillojnë fjalët, po jo se ai disa m’i jep kështu dhe disa ashtu. Ka punëdhënës që hyjnë në hak të atyre, të cilët punojnë që këta punëdhënësit të pasurohen dhe ia lënë mallkimet fëmijëve duke bërë të tilla hile. Po ta jap unë pagën këtu ti do m’i biesh mua mbrapsht se do marrësh më pak. Këtu ka vetëm një zgjidhje ose denoncoje ose përtype. Sepse nuk mundet dot shteti të gjëmojë nga mbrapa të gjithë punëdhënësit e Shqipërisë dhe të gjejë kush bën hile të tilla nëse punonjësi nuk e denoncon këtë gjë, tek tatimet, ministri i Financave, deputeti i zonës. Ne kemi vendosur me ligj që punonjësi, i cili bën një denoncim të tillë është i paprekshëm. nuk e heq dot njeri nga puna”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ajo që kemi ne detyrë është që në deklarimet që burojnë nga banka 500 euro të vijnë në emrin tënd. Këtë ne e kemi për detyrë ta garantojmë”.

Pastaj, vijoi Rama, nëse punëdhënësi  thotë më jep mua 100 kjo është një gjë që duhet ta luftojmë bashkërisht. Por, shtoi Kryeministri, që të luftohet fenomeni, institucionet duhet të marrin denoncimet e punonjësve.

Më tej, kryeministri Rama deklaroi se përtej pagës minimale do të vazhdojnë të rriten edhe pagat e tjera të të gjithë punonjësve të shtetit.

“Rritja e pagës minimale kërkon që shteti dhe të rregullojë pagat e tjera t’i ngjisë më lart, por rritja e pagës minimale sjell rritje të pagave të tjera edhe në sektorin privat. Është diçka që e kemi parë kur kemi rritur pagën minimale, do ta përjetojnë ata që punojnë në sektorin privat sapo të rritet paga minimale”, theksoi Rama duke shuar se edhe kjo mund të jetë pak, por është e sigurt.

Kreu i qeverisë tha se nga rritja e pagave do të përfitojnë edhe punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, edhe punonjësit e policisë, që, siç u shpreh ai, për hir të vërtetës kanë pasur disa problematika që më në fund marrin zgjidhje të plotë sepse do të përfitojnë edhe vjetërsinë në punë gjë që e kanë kërkuar prej kohësh. Kryeministri shtoi se vetëm vjetërsia në punë si e tillë, përkthehet në 50 euro plus në muaj për gradat e ulëta pa llogaritur rritjen tjetër të pagës.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›