AKU bllokon dy ngarkesa misri nga Serbia pas zbulimit të Aflatoksinës B1

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se ka identifikuar dy ngarkesa misri të destinuara për ushqim për kafshë, me origjinë nga Serbia, të kontaminuara me Aflatoksinë B1, si rezultat i kontrolleve të kryera në Pikën e Inspektimit Kufitar në Han të Hotit.
Kontrollet janë kryer në kuadër të Planit Vjetor të Kontrolleve Zyrtare, me qëllim monitorimin dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore për produktet që hyjnë në vend.
Sipas AKU-së, mostrat e marrë nga të dyja ngarkesat iu nënshtruan analizave laboratorike, të cilat konfirmuan praninë e Aflatoksinës B1, një substancë kancerogjene që mund të shkaktojë dëme serioze në shëndetin e kafshëve dhe njerëzve nëse futet në zinxhirin ushqimor.
Në njoftimin zyrtar, Autoriteti bën me dije se njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar.
Ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit importues dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacion.
AKU thekson se këto masa janë pjesë e angazhimit të institucionit për të garantuar standarde të larta sigurie ushqimore, duke siguruar që produktet e importuara të mos paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
“Çdo produkt ushqimor i importuar i nënshtrohet kontrolleve rigoroze, me qëllim garantimin e ushqimit të sigurt në mbrojtje të shëndetit të publikut”, nënvizon AKU në deklaratën e saj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit apelon për bashkëpunim të vazhdueshëm me bizneset importuese dhe garanton se do të vijojë kontrollet intensive për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për sigurinë ushqimore.
/a.f/r.e/