Ministrja Ibrahimaj: Shqipëria do të udhëheqë Presidencën e CEFTA-s në 2026

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Panelin e Nivelit të Lartë të organizuar në kuadër të Javës së CEFTA 2025 në Prishtinë, ku u diskutua për të ardhmen e bashkëpunimit tregtar dhe integrimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj vuri theksin te sfidat e reja globale me të cilat po përballen ekonomitë e rajonit, duke përfshirë ndryshimet në zinxhirët e furnizimit, sfidat klimatike dhe nevojën për tregje më të integruara dhe të parashikueshme. Ajo e vlerësoi CEFTA-n si një mekanizëm kyç për stabilitetin, sigurinë dhe rritjen afatgjatë ekonomike, duke shërbyer si bazë për afrimin me tregun e përbashkët europian.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e kthimit të bashkëpunimit rajonal në praktikë të përditshme, përmes harmonizimit të rregullave, digjitalizimit të pikave kufitare, rritjes së transparencës, përfshirjes së biznesit dhe mbështetjes së NVM-ve në hartimin e politikave. Ajo shtoi se progresi në CEFTA kërkon vullnet politik të qëndrueshëm për të eleminuar burokracinë dhe për të krijuar një klimë të favorshme për sipërmarrjen dhe investimet.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte roli i CEFTA-s në tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar. “Rajoni duhet të lëvizë drejt investimeve që sjellin teknologji, aftësi dhe produktivitet, duke e bërë CEFTA-n një platformë funksionale për integrimin gradual në tregun e BE-së,” tha ministrja.
Në përfundim të panelit, u njoftua se Shqipëria do të marrë Presidencën e radhës së CEFTA-s në vitin 2026. Ministrja Ibrahimaj prezantoi katër prioritetet strategjike që vendi ynë do të udhëheqë gjatë këtij mandati:
Fuqizimi i bashkëpunimit politik dhe institucional ndërmjet palëve të CEFTA-s;
Rritja e transparencës dhe pjesëmarrjes së aktorëve ekonomikë dhe socialë në hartimin e politikave;
Prodhimi i rezultateve konkrete për bizneset, veçanërisht në lehtësimin e qarkullimit të mallrave, Green Lanes, turizmin dhe tregtinë agro-ushqimore;
Mbështetja e investimeve me vlerë të shtuar, përmes një tregu rajonal më të harmonizuar dhe të parashikueshëm.
Ministrja Ibrahimaj e konsideroi këtë një moment kyç për CEFTA-n, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë për të avancuar integrimin europian dhe zhvillimin ekonomik të përbashkët të rajonit.
/rtsh.al/