AKU në Korçë, inspektime në dy subjekte ushqimore

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Korçë zhvilluan sot inspektime në dy subjekte ushqimore, në kuadër të një nisme për rritjen e transparencës dhe garantimin e zbatimit të standardeve ligjore.
Inspektimet u kryen në një stabiliment të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe në një stabiliment të përpunimit të mishit të pulës, pas paralajmërimit të bërë më herët nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula.
Këto kontrolle, të cilat konsiderohen si inspektime rastësore të paralajmëruara, realizohen në zbatim të ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë procesit, Inspektorati i Përgjithshëm ishte i pranishëm në terren për të mbikëqyrur mënyrën e zhvillimit të inspektimit.
Sipas njoftimit, mbikëqyrja u përqendrua në respektimin e procedurave ligjore, sjelljen profesionale të inspektorëve, si dhe dokumentimin e plotë dhe korrekt të çdo hapi të procesit.
Gjithashtu, u verifikua autorizimi përkatës i inspektimit dhe dokumentacioni shoqërues.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve të punës sipas standardeve, përfshirë mjetet e identifikimit zyrtar, formularët përkatës, pajisjet për regjistrimin dhe raportimin e të dhënave, si dhe pajisjet mbrojtëse, në varësi të natyrës së kontrollit.
Të gjitha gjetjet dhe vlerësimet do të përfshihen në raportin e Inspektoratit të Përgjithshëm mbi performancën e trupës inspektuese, i cili synon përmirësimin e standardeve dhe rritjen e llogaridhënies.
Inspektorati i Përgjithshëm thekson se roli i tij lidhet me mbikëqyrjen e procesit të inspektimit dhe të trupës inspektuese, për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe zbatimin e njëtrajtshëm të standardeve, me qëllim forcimin e besimit të publikut.
1 nga 10/gj.m/a.f/