E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AKZM, trajnim për rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e zonave të mbrojtura

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kanë përfunduar me sukses modulin “Trajnimi i trajnerëve”, një komponent i rëndësishëm i platformës së e-learning, përgatitur nga UNDP Albania në kuadër të projektit EU4Nature, i financuar nga Bashkimi Europian dhe SIDA.

Ky trajnim cilësor ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Pjesëmarrësit, në cilësinë e trajnerëve, do të luajnë një rol kyç në përçimin e njohurive të fituara, duke kontribuar në forcimin e aftësive profesionale të kolegëve dhe të aktorëve të tjerë të interesuar, si brenda ashtu edhe jashtë strukturave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Sipas AKZM-së, një objektiv i rëndësishëm mbetet integrimi i moduleve të trajnimit në platformën e-learning të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), duke synuar forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare dhe mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura.

“Ky hap do të shënojë një avancim të mëtejshëm në procesin e ndërtimit të aftësive institucionale dhe profesionale në nivel kombëtar”, theksoi AKZM në një postim në rrjetet sociale.

Zonat e mbrojtura përbëjnë mbi 21% të territorit të Shqipërisë. Në vendin tonë zonat e mbrojtura datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.

1 nga 6

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›