AMA dhe Prokuroria e Përgjithshme, memorandum bashkëpunimi kundër piraterisë digjitale audiovizive

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizuale dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për forcimin e luftës kundër piraterisë digjitale audiovizive.
Ky memorandum, i cili vjen si përmbushje e detyrimeve të AMA-s që rrjedhin nga rezoluta e Kuvendit për vitin 2026, u nënshkrua nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. “Përmes kësaj marrëveshjeje vendosëm një mekanizëm të qëndrueshëm bashkëpunimi mes AMA-s dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve, shkëmbimin e informacionit dhe referimin e rasteve që mund të përbëjnë vepra penale”, tha Krasniqi. Sipas saj, synimi është një reagim më i koordinuar dhe më efikas, në respekt të kompetencave ligjore të secilit institucion. “Jam e bindur se përballë formave gjithnjë e më të sofistikuara të piraterisë, bashkëpunimi ynë ndërinstitucional është thelbësor. Falënderoj Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin në këtë përpjekje të përbashkët, e cila kam bindjen se do të hedhë një gur të ri në themelin e murit që mbron konkurrencën e ndershme dhe kontribuon për një treg audioviziv të standardeve europiane”, u shpreh Krasniqi. Për ne në AMA, shtoi Krasniqi, mbrojtja e të drejtave të transmetimit është një angazhim i vazhdueshëm për të mbrojtur punën e krijuesve, investimet e operatorëve të ligjshëm dhe konkurrencën e ndershme në tregun audioviziv. “Pirateria e zhvlerëson këtë punë, dëmton industrinë dhe pengon investimet në përmbajtje cilësore për publikun”, tha ajo. 1 nga 5 /k.s/j.p/r.e/