Hoxha: Shqipëria e angazhuar për paqen në Lindjen e Mesme, dënojmë veprimet destabilizuese të Iranit

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se Shqipëria mbështet përpjekjet për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Gjatë një deklarate të përbashkët me homologun izraelit Gioedon Sa’ar, Hoxha theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e garantimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Shqipëria mbetet e angazhuar fort për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe garantimin e sigurisë”, u shpreh ai.
Hoxha tha gjithashtu se dënojnë veprimtaritë e Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, duke i cilësuar ato si kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Hoxha rikujtoi se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke iu referuar politikave dhe veprimeve të Teheranit kundër vendit tonë dhe partnerëve të tij.
“Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duke pasur parasysh politikat dhe veprimet e Iranit kundër Shqipërisë, por edhe kundër partnerëve tanë, ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Gjithashtu, krahas vendeve dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste”, tha ai.
Ministri bëri të ditur se gjatë takimit palët shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Shkëmbyem mendime të vlefshme edhe lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Theksova rëndësinë themelore që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë drejtim, nënvizova se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet e ngushta që janë vendosur mes tyre janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/