E Diel, 1 Nëntor 2026

AMA marrëveshje me Malin e Zi për koordinimin ndërkufitar të frekuencave UHF

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Malit të Zi kanë përmbyllur procesin e koordinimit ndërkufitar të brezit të frekuencave UHF 470–694 MHz, me nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike finale.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u shpreh se procesi, i nisur në vitin 2022 me arritjen e marrëveshjes në parim mes dy institucioneve, u përmbyll pas katër vitesh diskutimesh, konsultimesh dhe negociatash teknike.

Marrëveshja përcakton parametrat teknikë dhe kushtet për përdorimin e koordinuar të frekuencave nga Shqipëria dhe Mali i Zi, me synim shmangien e interferencave të dëmshme ndërkufitare dhe përdorimin më efikas të spektrit.

Sipas Krasniqit, marrëveshja krijon gjithashtu kushte për zhvillimin e mëtejshëm të rrjeteve të televizionit digjital tokësor (DTT).

Krasniqi nënvizoi se “procesi është pjesë e riplanifikimit të spektrit në përputhje me zhvillimet europiane, përfshirë Vendimin (BE) 2017/899, si dhe standardet e përcaktuara nga Konferenca Botërore e Radiokomunikimeve (WRC-23)”.

Në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësuesi i AMA-s vlerësoi bashkëpunimin institucional me palën malazeze dhe angazhimin e ekipeve teknike të të dy institucioneve gjatë gjithë procesit.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›