AMA, masa administrative ndaj disa medieve për transmetim të përmbajtjeve të paverifikuara

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka ndërmarrë masa administrative ndaj disa Ofruesve të Shërbimeve Mediatike Audiovizive për transmetimin e përmbajtjeve të pambështetura në fakte, të cilat kanë pasur potencial të cenojnë interesin publik dhe të krijojnë shqetësim të pajustifikuar te publiku, veçanërisht në çështje që lidhen me shëndetin e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë publike.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, nënvizon se “liria e shprehjes është një nga shtyllat e demokracisë. Por ajo nuk mund të ngatërrohet me të drejtën për të transmetuar përmbajtje të paverifikuara që krijojnë alarm dhe panik te publiku”.
“AMA vlerëson se liria e shprehjes dhe liria editoriale janë elemente themelore të një shoqërie demokratike, por ato duhet të ushtrohen në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, detyrimin për saktësi dhe verifikim të informacionit, si dhe me përgjegjësinë për të mos cenuar të drejtat e qytetarëve dhe interesin publik. Në rastet kur, gjatë procedurave administrative, krahas masës administrative me gjobë, janë konstatuar të dhëna që mund të tejkalojnë fushën e përgjegjësisë administrative, çështjet janë referuar pranë organeve ligjzbatuese për vlerësim të mëtejshëm, në përputhje me kompetencat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacion”, shprehet Krasniqi në një reagim në rrjetet sociale.
Qasja e AMA-s është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. “Akti i Shërbimeve Digjitale (Rregullorja (BE) 2022/2065), përmes neneve 34 dhe 35, përcakton detyrime për identifikimin, vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve sistemike që lidhen me përhapjen e përmbajtjeve dhe funksionimin e shërbimeve digjitale, veçanërisht kur këto mund të ndikojnë në sigurinë publike, të drejtat themelore, debatin publik dhe proceset demokratike. Këto standarde nënvizojnë nevojën për masa efektive dhe proporcionale nga aktorët përkatës për adresimin e rreziqeve që burojnë nga përhapja e përmbajtjeve të dëmshme ose të paverifikuara”,vijon Krasniqi.
Gjithashtu, AMA i referohet edhe Aktit Europian për Lirinë e Medias (Rregullorja i cili riafirmon rëndësinë e pavarësisë editoriale, transparencës dhe pluralizmit mediatik, duke vendosur një ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë profesionale për garantimin e informacionit të besueshëm dhe në interes të publikut.
Kryetarja e AMA-s vë në dukje se institucioni mbetet i angazhuar për garantimin e një mjedisi mediatik ku respektohen njëkohësisht liria e shprehjes, pavarësia editoriale, përgjegjësia profesionale dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme dhe se do të vijojë monitorimin e respektimit të standardeve të transmetimit audioviziv.