AMAN – Mitsotakis kërkon rikthimin e status quo-së së Ngushticës së Hormuzit

AMAN, 6 maj /ATSH-ANA/ – Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duam të jemi shumë të qartë se duhet të rikthehemi në status quo-në e mëparshme, pasi ne jemi avokatë të fortë të mbrojtjes së parimit të lirisë së lundrimit dhe e kemi bërë këtë si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe besoj se kjo është një fushë që përbën një përparësi të përbashkët për të gjitha vendet tona, theksoi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë fjalës së tij në samitin V tripalësh Greqi-Qipro-Jordani të organizuar në Aman.
”Bashkëpunimi trepalësh midis Greqisë, Qipros dhe Jordanisë dërgon një mesazh të qartë miqësie, bashkëpunimi dhe angazhimi ndaj së Drejtës Ndërkombëtare dhe bashkëjetesës paqësore, duke njohur gjithashtu rolin vendimtar të Jordanisë si një shtyllë stabiliteti”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar mbretit Abdullah II të Jordanisë dhe presidentit të Republikës së Qipros Nikos Christodoulides, kryeministri vuri në dukje se Greqia dhe Qiproja veprojnë si një urë midis rajonit dhe Bashkimit Evropian, duke promovuar një qasje holistike ndaj sigurisë dhe prosperitetit.
Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht progresit të rëndësishëm të arritur deri më tani, ekziston një potencial më i gjerë për bashkëpunim në fusha të tilla si energjia, investimet, mbrojtja dhe veprimi ndaj klimës.
Duke komentuar mbi zhvillimet në rajon, Mitsotakis theksoi nevojën për të ulur tensionet, për të respektuar lirinë e lundrimit, për të mbështetur stabilitetin në vende si Libani dhe për të promovuar një plan paqeje për Gazën, ku theksoi se një zgjidhje me dy shtete “është e vetmja rrugë e zbatueshme”.
Ndër të tjera, ai vuri në dukje se takimi po zhvillohej në një moment kritik, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për rajonin e gjerë të Gjirit.
“Kriza që po zhvillohet aktualisht ngre sfida serioze jo vetëm për paqen dhe sigurinë rajonale, por gjithashtu ka implikime më të gjera dhe të thella që shtrihen përtej rajonit tonë dhe sigurisht që ndikojnë në të gjitha ekonomitë tona”, tha ai.
“Jordania luan një rol vendimtar si një shtyllë stabiliteti në rajon; puna juaj si kujdestare e vendeve të shenjta dhe angazhimi juaj i palëkundur për të ruajtur status quo-në vlerësohen veçanërisht, në një kohë kur bashkëjetesa paqësore e komuniteteve fetare është me rëndësi të madhe. E di sa rëndësi i kushtoni kësaj çështjeje specifike”, shtoi ai, duke iu drejtuar mbretit të Jordanisë.
Ai gjithashtu u pajtua me presidentin qipriot që Greqia dhe Qiproja “veprojnë si një urë natyrore midis Jordanisë, Lindjes së Mesme, vendeve të Gjirit dhe Bashkimit Evropian”./ a.jor.