E Diel, 1 Nëntor 2026

Personalitete të njohura ndërkombëtare nderohen me titullin “Doctor Honoris Causa”

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit nisi sot në Tiranë me një ceremoni solemne në Universitetin e Arteve, ku iu akorduan titujt “Doctor Honoris Causa”  disa personaliteteve ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë, ekonomisë, akademisë dhe artit.

Mes të nderuarve ishin Ricardo Hausmann, Javier Cremades, José Luis Manzano, Andi Hoxhaj dhe José Manuel Ciria, për kontributin e tyre të spikatur në nivel global.

Eventi, i organizuar në bashkëpunim me World Law Foundation dhe institucionet shqiptare, i paraprin punimeve kryesore të kongresit që zhvillohet më 7 maj në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Kryeministri Rama mori pjesë dhe mbajti fjalë nderimi për të dekoruarit.

Në këtë ceremoni, të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Në nisje të ceremonisë rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i dorëzoi titullin “Doctor Honoris Causa”, presidentit të Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades.

Senati akademik i Universitetit të Tiranës në bazë të propozimit të paraqitur nga Fakulteti i Drejtësisë i jep Javier Cremades titullin “Doktor Honoris Causa”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin e shtetit të së drejtës promovimin e të të drejtave të njeriut, avancimin në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për përkushtimin e tij të vazhdueshëm dhe vizionin e qartë në përforcimin dhe konsolidimin e vlerave demokratike dhe në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme për rolin e tij të spikatur në fuqizimin e dialogut ndërkombëtar dhe në afirmimin e parimeve të drejtësisë dhe lirisë, si dhe për ndikimin e tij të veçantë në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e çmuar në promovimin e Shqipërisë dhe në mbështetjen e proceseve të saj të forcimit të institucioneve dhe zhvillimit të demokaracisë”.

Duke falënderuar për marrjen e titullit “Doctor Honoris Causa”, Cremades u ndal tek perspektiva europiane e Shqipërisë.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë janë entuziastë për demokracinë dhe po përpiqen shumë, ju keni një ëndërr, ju doni të jeni pjesë e BE-së. Ju po krijoni, po bëni diçka të fuqishme, sepse doni të transformoni vendin tuaj që ka qenë nën regjimin totalitar dhe doni t’i tregoni botës se tashmë jeni një vend demokratik. Po e bëni këtë, po punoni shumë”, tha ai.

Cremades u shpreh se “në Shqipëri kemi dy fokuse: të ndihmojmë brezat e rinj për shtetin e së drejtës, të mbajmë shpirtin gjallë dhe të përpiqemi që të mbrojmë trashëgiminë e të gjithë atyre brezave që kanë punuar shumë. Pika e dytë është të promovojmë dhe fuqizojmë gjithçka që bëhet këtu në Shqipëri”.

Më tej rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i dorëzoi titullin “Doctor Honoris Causa” akademikut dhe ekonomistit të famshëm, Ricardo Hausmann.

Ky titull iu akordua me motivacionin “Për kontributin e tij të shquar në pasqyrimin mendimit ekonomik bashkëkohor dhe në thellimin e kuptimit shkencor të proceseve të rritjes ekonomike, transformimit strukturor dhe politikëbërjes publike, për përkushtimin e tij të vazhduar për promovimin e prosperitetit përmes dijes dhe në forcimin e institucioneve, angazhimit të tij të drejtpërdrejt dhe bashkëpunimi me institucionet shqiptare”.

Në fjalën e tij Hausmann u shpreh se “gjithçka që keni ëndërruar për vendin tuaj do të bëhet realitet dhe për këtë jam i sigurt. Kam mësuar shumë gjëra në Shqipëri, kam mësuar shumë gjëra nga Edi Rama për lidershipin, për të gjitha ndërveprimet tona, ato që përfytyrojmë në politikat publike dhe avantazhet e formimit artistik kur bëhet fjalë për politikat”.

Gjithashtu nga Universiteti i Gjeologjisë u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” José Luis Manzano, ndërsa nga Universiteti i Arteve u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”  Jose Manuel Siria.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›