E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AMF: Po monitorojmë ekspozimin e fondeve të investimit ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë

“Viti 2021 edhe pse ishte sfidues për ekonominë shënoi një rimëkëmbje e rritje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje”. Kështu u shpreh gjatë paraqitjes së raportit vjetor drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare Ervin Mete përpara Komisionit të Ekonomisë.

Gjatë 2021 kanë vijuar pagesat e tërmeteve dhe sipas Metës sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktuale.

Duke u ndalur te riformatimi i bazës ligjore e rregullatore, Mete nënvizoi se ligjet e reja kanë dhënë impakt në tregje.

“Ligji për sigurimin e detyrueshëm sjelle rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh. Gjithashtu, janë ulur komisionet e ndërmjetësimit me të paktën 9%, nga 27.5% në 18.5% në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik“, tha Mete.

Ofrimi i shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik në portalin e-Albania u veçua si një zhvillim i rëndësishëm për vitin 2021 nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së.

Në këtë mënyrë, rreth 680 mijë qytetarë të cilët pajisen çdo vit me një policë së sigurimit të detyrueshëm motorik, mund të aksesojnë informacionet apo vërtetimet e nevojshme në lidhje me vlefshmërinë e policës së tyre aktuale të sigurimit.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›