E Diel, 1 Nëntor 2026

AMF projektrregullore për veprime digjitale në sektorin financiar

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi për herë të parë një tryezë konsultative gjithëpërfshirëse me anëtarët e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), ku prezantoi projektrregulloren “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale në subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare”. Projektrregullorja është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.

Sipas AMF-së, takimi shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e dialogut me ekspertët, përfaqësuesit e sektorit financiar jobankar dhe shoqërinë civile, duke e konsideruar PPIE një mekanizëm të rëndësishëm për konsultim, transparencë dhe përfshirje gjatë procesit të integrimit evropian.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali, theksoi se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian kërkon jo vetëm transpozim teknik, por edhe konsultim të gjerë me institucionet, tregun, ekspertët dhe shoqërinë civile.

Sipas saj, projektrregullorja përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kuadrit mbikëqyrës dhe kërkon angazhim të shtuar nga subjektet e licencuara për forcimin e menaxhimit të rrezikut, raportimin e incidenteve dhe rritjen e qëndrueshmërisë operacionale digjitale.

Projektrregullorja është hartuar në përputhje me Rregullorja (BE) 2022/2554 (DORA) dhe synon të vendosë kërkesa të standardizuara për menaxhimin e rreziqeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga subjektet e mbikëqyrura nga AMF. Ajo parashikon forcimin e sigurisë së sistemeve të informacionit, rritjen e aftësive parandaluese dhe reaguese ndaj incidenteve kibernetike dhe operacionale, si edhe garantimin e vijimësisë së shërbimeve financiare në rast ndërprerjesh ose goditjesh teknologjike.

Gjatë tryezës konsultative, anëtarët e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian diskutuan mbi dispozitat kryesore të projektrregullores dhe sfidat që lidhen me zbatimin e saj, duke dhënë kontributet e tyre në kuadër të procesit të konsultimit publik.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›