Dogana Shqiptare: Bashkëpunimi rajonal, kyç në luftën kundër trafikut të paligjshëm

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Dogana Shqiptare mori pjesë në takimin rajonal të operacionit “Balkan Eye-1”, të zhvilluar në Sarajevë, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimi Europian dhe United Nations Office on Drugs and Crime për forcimin e kontrollit kufitar dhe luftën kundër trafikut të paligjshëm në Evropën Juglindore.
Takimi u zhvillua pas përfundimit të operacionit “Balkan Eye-1”, gjatë të cilit u evidentuan 19 raste sekuestrimesh dhe ndërhyrjesh nga autoritetet ligjzbatuese. Rastet përfshinë trafikim të lëndëve narkotike, kontrabandë të parave “cash”, metaleve të çmuara, mallrave të padeklaruara, si dhe shkelje të tjera të legjislacionit doganor.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe kërcënimet në rritje nga opioidet sintetike, përfshirë fentanylin dhe drogat e reja sintetike, ndërsa pjesëmarrësit theksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional për parandalimin dhe goditjen e këtyre fenomeneve.
Dogana Shqiptare theksoi se mbetet e angazhuar në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, rritjen e efektivitetit të kontrolleve doganore dhe forcimin e kapaciteteve për luftën kundër krimit ndërkufitar, në funksion të garantimit të sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë së ligjshme.
/e.xh/r.e/a.f/