AMIE kërkon shtyrjen e Censit, Mitrefski: Banorët e Pustecit vështirësi regjistrimi për shkak të punësimeve sezonale

Partia e minoritetit maqedonas në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, ka kërkuar shtyrjen më tej të procesit të regjstrimit të popullsisë përtej shtyrjes së lajmëruar një ditë më parë nga ana e INSTAT.
Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Eftim Mitrefski, kjo shtyrje duhet të bëhet për shkak se shumë banorë të bashkisë Pustec janë të punësuar sezonalë në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.
Një pjesë e tyre kthehen shumë vonë nga Maqedonia e Veriut dhe largohen shumë herët drejt vendit të punës, çka e bën të vështirë kontaktin me regjistruesit e INSTAT. Ashtu siç ka të tjerë të cilët kthehen vetëm në fundjavë, tha ai.
I pyetur nëse këtë shtyrje kjo parti e kërkon edhe për banorët e kësaj bashkie që posedojnë pasaporta bullgare dhe punojnë në vendet e BE, Mitrefski ka thënë shkurt se qeveria shqiptare zyrtarisht në bashkinë e Pustecit njeh si pakicë kombëtare vetëm maqedonasit.
Në zyrën e gjendjes civile janë të regjistruar më shumë se 5000 shtetas që i përkasin mioritetit maqedonas.
Gazetare Teuta Shamku
/ rtsh /