Zhvillimi i turizmit në Korçë/ Sfidë mbetet tërheqja e turistëve të huaj

Tërheqja e më shumë turistëve të huaj, diversifikimi i flukseve turistike apo i produkteve që ofrohen si dhe shtrirja e turizmit gjatë gjithë javës, mbeten ndër sfidat e zhvillimit të turizmit në Korçë, të cilat do të bëjnë të mundur që qyteti juglindor të vazhdojë të jetë në krye të listës së destinacioneve turistike në Shqipëri. Këtë e pohojnë edhe personat të cilët në guidat e tyre turistike zgjedhin gjithnjë Korçën si ndalesën e grupeve të huaja.
“Korça ka një problem në krahasim me vendet e tjera që nuk rrihet shumë nga turizmi i huaj. Po ta krahasosh me Gjirokastrën, me Sarandën, me Beratin ato janë shumë herë më lartë se Korça në numra të vizitoreve të huaj, Korça bën diferencën se ka shumë vizitor vendas”, thotë Vitmar Qinami.
Për të pasur në Korçë, një numër më të lartë të turistëve të huaj, të cilët bëjnë të mundur shtrirjen e turizmit gjatë ditëve të javës, nevojiten të tjera investime të rëndësishme si dhe politika të tjera mbështetëse nga pushteti qendror apo lokal.
“Do të sugjeroja një aeroport për Korçën të paktën për periudhën verës dhe një marketing më i madh”, thotë Qinami.
Vitet e fundit në Korçë është investuar shumë për zhvillimin e turizmit, si një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë lokale, duke kaluar nga një turizëm kaotik në një turizëm të strukturuar. Por që Korça të ngelet qyteti model në turizëm, nevojitet edhe diversifikimi i produkteve që ofron, për të tërhequr një fluks më të lartë turistësh.
Gazetare: H. Dyrmishi
/RTSH/