E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AMP arreston dy punonjës policie në Dibër e Berat, një tjetër në hetim

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka ndaluar punonjësin e policisë A. U., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, si dhe referoi materialet procedurale në gjendje të lirë për punonjësin e policisë S. U., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të policisë Mat, i dyshuar për veprat penale “Prishje e qetësisë publike” dhe “Vetëgjyqësia”.

Sipas AMP-së “nga veprimet e para hetimore të kryera, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuar në prova e fakte, se dy punonjësit e policisë (vëllezër), janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasin A. K., në qytetin e Burrelit, ku kanë tentuar të vetësqarojnë situatën duke përfunduar në veprime të dhunshme dhe të rrezikshme për shëndetin e shtetasit”.

Ndërsa në Berat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë V. D., me detyrë Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

“Arrestimi i tij u krye pasi rreth orës 17:30 të datës 14.02.2025, duke drejtuar automjetin e tij është përfshirë në aksident automobilistik me një automjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ai ka rezultuar pozitiv në masën 0,60 mg/l”, njofton AMP.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›