E Diel, 1 Nëntor 2026

AMP arreston dy punonjës policie në Tiranë

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie, me detyrë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

AMP vuri në pranga A. S, 20 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë dhe Xh. F, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë.

Sipas AMP-së, hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësit e Policisë i kanë kërkuar dhe marrë një shumë prej 20.000 lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore”, njoftoi AMP.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›