AMP masa shtrënguese ndaj një ish-punonjësi të Gardës dhe një shtetasi

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ekzekutuar sot masat e sigurisë me karakter shtrëngues ndaj dy personave.
Në njoftimin e AMP-së, thuhet se masat janë marrë ndaj një ish-punonjësi të Gardës së Republikës dhe një shtetasi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
AMP njofton se masa e sigurisë “Arrest në burg” është marrë ndaj shtetasit Z. M, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, oficer pranë Gardës së Republikës me gradën “Komisar”.
Masa tjetër sipas AMP-së, ajo e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është marrë ndaj shtetasit K. D., banues në Tiranë, i shpallur në kërkim.
AMP cilëson në njoftim se gjatë veprimeve hetimore, procedurale shteruese në drejtimin e SPAK u arrit të provohej se këta dy shtetas në role të ndryshme gjatë kryerjes së veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë euro, i kanë premtuar një shtetaseje (kallëzueses) se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror.
Vijojnë veprimet hetimore për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave.
/e.i/r.e/a.f/