AMP ndalon dy punonjës policie dhe një doganier në Gjirokastër

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), me vendim të gjykatës së Gjirokastrës, ka arrestuar dy punonjës policie dhe një doganier.
Konkretisht AMP ka arrestuar kryekomisar A.K., me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim si dhe nën Komisar XH.D., me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.
Po ashtu është shpallur në kërkim inspektor F.O., me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.
Në pranga ka rënë edhe B.M., me detyrë doganier, niveli C2 në degën doganore Kakavijë, i dyshuar për veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Po ashtu janë arrestuar edhe I.M., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim si dhe K.K., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.
Sipas AMP-së, nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.
Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.
/a.f/