AMP ndalon inspektorin e policisë në “Qafë Botë”, lejoi dy persona të shpallur në kërkim të kalonin kufirin

Agjencia e Mikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kanë ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor Klemend Çani, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare “Qafë Botë”, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas njoftimit, ndalimi i tij u bë pasi në datën 07.09.2025 rreth orës 12:39, ka lejuar kalimin e shtetasve Tagio Hoxha dhe Rexhino Hoxha, ndaj të cilëve Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kishte urdhëruar ndalimin në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan./vizionplus.tv