E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

ANALIZË – Politologët të bindur se Zelensky ra në grackën e presidentit Trump

KIEV, 1 mars /ATSH-DPA/ – Një politolog i njohur gjerman beson se debati i ashpër midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Voloydmyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë ishte një veprim i llogaritur nga Trump.

”Ai ka qenë yll i televizionit të realitetit. Donald Trump bëri pikërisht atë që bën: fut dikë në grackë para kamerave”, tha Thomas Jager nga Universiteti i Këlnit, në një intervistë për transmetuesin n-tv.

“Kjo ishte marka e tij tregtare për një kohë të gjatë dhe ai i kishte planifikuar të gjitha”, tha Jager, duke shtuar se Zelensky ra në grackën e ngritur për të.

“Kjo nuk ishte rastësi, nuk ishte provokim. U realizua një skenar”, tha eksperti në lidhje me takimin e së premtes, ku Trump dhe zëvendëspresidenti i tij JD Vance qortuan Zelenskyn para kamerave.

Ajo që synohej si një mundësi për të diskutuar për sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik, së shpejti u shndërrua në një ndeshje të zhurmshme para shtypit në Zyrën Ovale.

Vance akuzoi Zelenskyn se nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës për ndihmën e SHBA-së kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, ndërsa Trump i tha presidentit ukrainas të bënte një marrëveshje me Rusinë ose përndryshe do të përballej me humbjen e mbështetjes së SHBA.

“Ju jeni duke luajtur bixhoz me jetën e miliona njerëzve”, tha ai.

“Ju jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, shtoi Trump.

Zelensky, dukshëm i frustruar, u përpoq të shpjegonte pse ai nuk besonte se diplomacia ishte e mjaftueshme për të bindur presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara do të ndjenin gjithashtu efektet nëse Ukraina do të detyrohej të pranonte një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Rusisë.

Bisedimet u ndërprenë dhe delegacioni ukrainas u largua nga Shtëpia e Bardhë pak kohë më pas, duke lënë të panënshkruar një marrëveshje të planifikuar për mineralet e rralla.

Jager vuri në dukje presionin me të cilin përballet Trump që nga fillimi i bisedimeve dypalëshe me Rusinë.

“Në ditët e fundit, është bërë shumë e qartë se Trump nuk po bën ndonjë përparim me planin e tij për t’i dhënë fund disi kësaj lufte”, tha Jager duke iu referuar një premtimi të fushatës së bërë nga presidenti i ri amerikan.

“Dhe kjo për shkak se Rusia po dikton kushtet”, tha eksperti, duke e përshkruar Trumpin si njeriun e Putinit në Shtëpinë e Bardhë.

”Megjithatë, duke qenë se amerikanët nuk i besojnë Putinit, Trump duhet ta poshtërojë Ukrainën, ai duhet ta poshtërojë Zelenskyn, në mënyrë që t’i shesë popullit amerikan idenë se ai po vjen me një propozim për t’i dhënë fund kësaj lufte (që në fund të fundit do të thotë dorëzim i Ukrainës) dhe se Ukraina (dhe ky është rezultati i natës së kaluar) thjesht nuk e meriton më mbështetjen e SHBA”, tha Jager.

Politologu ukrainas, Vladimir Fesenko, i konsideruar si i afërt me Zelensky, tha se ai beson se negociatat e paqes janë “jashtë tryezës për një kohë” pas sherrit në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën ai thotë se u shkaktua nga emocionaliteti i Zelensky dhe Trump, si dhe “roli provokues” i luajtur nga Vance.

SHBA ka qenë donatori më i madh i Ukrainës i armëve dhe ndihmave të tjera për fushatën e saj kundër pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia më shumë se tre vjet më parë.

Shkëmbimi i së premtes ka nxitur frikën se një ndryshim në politikën amerikane ndaj Ukrainës që kur Trump mori detyrën pak më shumë se një muaj më parë, mund të kulmojë me një ngrirje të dërgesave të armëve amerikane në Ukrainë.

Eksperti politik, Christian Molling tha se ai do të këshillonte Evropën që shpejt të fillojë të qëndrojë nbi këmbët e veta për sa i përket politikës së sigurisë pas takimit të ashpër të së premtes midis Trump dhe Zelensky.

“Ne duhet të përshtatemi shumë shpejt me faktin se SHBA nuk është më lideri politik dhe ushtarak i NATO-s”, tha drejtori i Programit të Ardhmërisë së Evropës të Fondacionit ”Bertelsmann” për transmetuesin publik gjerman ZDF të premten në mbrëmje.

“Gjëja e parë që na duhet është organizimi i lidershipit politik në Evropë. Sepse SHBA ka vendosur gjithmonë ritmin atje,” tha Mölling.

Eksperti vuri në dukje se asnjë shtet evropian nuk ishte aktualisht mjaft i fortë për të marrë një pozicion udhëheqës, duke shtuar se kjo do të ishte pika më e vështirë për t’u rënë dakord për liderët evropianë.

“Kush mund të flasë për kë? Dhe kush mund të marrë përfundimisht vendime për jetë a vdekje?”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›