FOKUS – Rusia: Vizita e Zelenskyt në SHBA një dështim i plotë

MOSKË, 1 mars /ATSH-AFP/ – Rusia tha sot se vizita e Volodymyr Zelenskyt në Uashington ishte një “dështim i plotë”, pas grindjes së tij me Donald Trump dhe akuzoi udhëheqësin ukrainas se ishte “i fiksuar me vazhdimin e luftës” me Moskën.
Vizita “është një dështim i plotë politik dhe diplomatik i regjimit të Kievit”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo akuzoi Zelenskyn se ishte “i paaftë për të treguar ndonjë ndjenjë përgjegjësie”, për “refuzim të paqes” dhe se përdor “gënjeshtra dhe manipulime për të justifikuar vazhdimin e armiqësive dhe marrjen e ndihmës ushtarake dhe financiare nga Perëndimi”.
”Me sjelljen e tij jashtëzakonisht të vrazhdë gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Zelensky konfirmoi se ai është kërcënimi më i rrezikshëm për komunitetin ndërkombëtar si një luftënxitës i papërgjegjshëm”, tha Zakharova.
Ajo akuzoi gjithashtu liderët evropianë për “dobësi politike” dhe “degradim moral” për mbështetjen e Zelenskyt përballë “mësimit moral” që ai mori në Uashington.
Zakharova përsëriti se qëllimet e Rusisë në Ukrainë “mbeten të pandryshuara”, përkatësisht “çmilitarizimi” dhe “denazifikimi” i vendit dhe “njohja e realiteteve ekzistuese në terren”.
Rusia, e cila nisi trupat e saj për të sulmuar fqinjin e saj në vitin 2022, po kërkon që Ukraina të lëshojë katër rajone në lindje dhe jug të vendit, përveç Krimesë të aneksuar në 2014, dhe që ajo të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, kushte të papranueshme për Kievin.
Vizita e Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të premten u shndërrua në një grindje verbale kur Donald Trump dhe nënpresidenti JD Vance akuzuan liderin ukrainas se nuk vlerësoi ndihmën amerikane dhe refuzoi bisedimet e paqes.
Sherri çoi në largimin e parakohshëm të presidentit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë, pa nënshkruar marrëveshjen për mineralet e rralla, për të cilën ai kishte udhëtuar në Uashington./ a.jor.