ANALIZË – Si u thellua kriza e lidershipit brenda partisë së Starmer?

LONDËR, 12 maj /ATSH/ – Keir Starmer po lufton për të qëndruar në postin e kryeministrit, ndërsa përballet me thirrje nga kritikët brenda Partisë Laburiste që të largohet nga “Downing Street”, raportoi BBC.
Katër anëtarë të qeverisë së tij, përfshirë ministren e Brendshme, Jess Phillips kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa dhjetëra deputetë laburistë po kërkojnë largimin e tij, pas një seri zgjedhjesh katastrofike për partinë javën e kaluar.
Më poshtë vijon një përmbledhje e asaj që po ndodh:
Çfarë po ndodh sot?
Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood është mes disa ministrave të kabinetit që po i bëjnë thirrje kryeministrit Starmer, të përcaktojë një afat për largimin e tij.
Por, në mbledhjen e tij të përjavshme të kabinetit, Starmer tha se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen dhe sfidoi rivalët e mundshëm që ta kundërshtonin zyrtarisht si lider i laburistëve.
Asnjë deputet nuk ka nisur ende një garë zyrtare për ta sfiduar Starmer – një lëvizje që kërkon mbështetjen e 81 kolegëve, ose 20% të deputetëve laburistë, sipas rregullave të partisë.
Pas mbledhjes, aleatë kyç si ministri i shtetit për Strehimin, Steve Reed dhe ministri për Punën dhe Pensionet, Pat McFadden u thanë gazetarëve se vazhdojnë ta mbështesin Starmer.
Por ministri i Shëndetësisë Wes Streeting, i parë si një rival i mundshëm për lidershipin, nuk bëri asnjë koment për gazetarët kur u largua nga “Downing Street”.
Ministrja e Jashtme Jenny Chapman, gjithashtu aleate e Starmer, pranoi se po zhvillohej një diskutim mbi lidershipin e tij, por tha se asnjë ministër nuk e sfidoi atë në tryezën e kabinetit.
Cila është atmosfera në parti?
Më shumë se 80 deputetë laburistë i kanë kërkuar publikisht Starmer, të japë dorëheqjen menjëherë ose të hartojë një afat largimi.
Katër ministra – Jess Phillips, Zubir Ahmed, Alex Davies-Jones dhe Miatta Fahnbulleh – kanë dhënë dorëheqjen nga qeveria.
Gjashtë ndihmës ministrorë u larguan dje dhe janë zëvendësuar që atëherë. Disa burime thanë se priten dorëheqje të tjera.
Gjithashtu është informuar se më shumë se 100 deputetë laburistë kanë nënshkruar një deklaratë ku thuhet: “Nuk është koha për garë lidershipi”, duke i bërë thirrje kolegëve të përqendrohen në punë.
Së bashku me ministrin e Shëndetësisë Wes Streeting, ish-zëvendëskryeministrja Angela Rayner shihet si sfiduesja më e mundshme e Starmer brenda deputetëve laburistë.
Kryetari i Bashkisë së Greater Manchester, Andy Burnham, gjithashtu ka mbështetje, por do të duhej të bëhej deputet për të kandiduar për lider, gjë që do të kërkonte një garë më të zgjatur.
Si u arrit deri këtu?
Kryeministri britanik, Keir Starmer mbajti dje një fjalim, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e tij.
Por, kjo lëvizje duket se ka pasur efekt të kundërt, pasi numri i deputetëve laburistë që kërkojnë largimin e tij është rritur vazhdimisht në orët pasuese.
Revolta brenda deputetëve pason një seri zgjedhjesh katastrofike për laburistët javën e kaluar, ku partia humbi pothuajse 1 500 këshilltarë në zgjedhjet lokale në të gjithë Anglinë.
Ajo gjithashtu u rrëzua nga pushteti në Uells dhe shënoi rezultatin e saj më të keq, të regjistruar ndonjëherë, në zgjedhjet për parlamentin skocez.
Zgjedhjet ishin cilësuar si një test kyç për lidershipin e Starmer, në një kohë kur sondazhet janë negative dhe ekziston polemika mbi vendimin e tij për të emëruar Peter Mandelson si ambasador në SHBA, gjë që ka bërë që disa deputetë të vënë në dyshim gjykimin e tij.//a.i/