MOSKË – Rusia pretendon se BE-ja kërkon të ndajë Armeninë nga Moska

Rusia pretendon se Bashkimi Evropian kërkon të ndajë Armeninë nga Moska duke forcuar ndikimin e saj mbi jetën socio-politike dhe ekonominë e vendit, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Drejtori i Departamentit të Katërt të vendeve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura në Ministrinë e Jashtme ruse, Mikhail Kalugin tha se BE-ja po e përdor Armeninë për të ndjekur qëllime gjeopolitike të përqendruara në konfrontim me Rusinë.
“Ne shohim se si BE-ja po përpiqet të shfrytëzojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Armeni për këtë qëllim. Dy misione të ngjashme me ato të vendosura gjatë fushatave zgjedhore në Moldavi janë vendosur tashmë në republikë”, tha ai.
Kalugin pretendon se “specialistët” evropianë po përpiqen ta portretizojnë Rusinë si një armik dhe të krijojnë atë që ai e përshkroi si një përshtypje të rreme se Moska kundërshton “krijimin e një Armenie të pavarur”. Ai akuzoi zyrtarët evropianë për pretendime të pabaza lidhur me “sulmet hibride” ruse dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Armenisë.
Presidenti rus Vladimir Putin i tha kryeministrit armen Nikol Pashinyan në Kremlin në fillim të prillit se Moska nuk është e shqetësuar për marrëdhëniet e Armenisë me BE-në. Megjithatë, ai theksoi se Jerevani nuk mund t’i bashkohet njëkohësisht Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) dhe BE-së. /os/