ANEB: Irani “pasuron” uranium deri në 27%

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka bërë të ditur se inspektorët e saj kanë gjetur disa grimca të uraniumit të pasuruar deri në 27 për qind, në një lokacion të Iranit.
Raporti vë në pah se pasurimi është më i lartë se 20 për qind, siç ka deklaruar Teherani, por, megjithatë, nuk përjashton mundësinë e gabimeve teknike.
“Gjëra të tilla mund të ndodhin për arsye teknike”, thuhet në raport.
Uraniumi i pasuruar në 20 për qind është i nevojshëm për karburant bërthamor.
Irani ka deklaruar se pasuron uranium për qëllime ekskluzivisht paqësore, por Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe disa vende të tjera dyshojnë se Republika Islamike synon krijimin e armëve bërthamore.