E Diel, 1 Nëntor 2026

ARABI SAUDITE – Katër të vrarë dhe tetë të plagosur nga sulmet e rebelëve Houthi

RIAD, 22 tetor /ATSH-DPA/- Dy persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga një sulm ndaj aeroportit të qytetit, Damam, në Arabinë Saudite, njoftoi sot autoriteti i aviacionit i vendit.

Sulmi ndodhi dje në mbrëmje dhe shkaktoi edhe dëme materiale. Autoritetet thanë se po vlerësojnë ende përmasat e dëmeve.

Aeroporti i Damamit, qytet që ndodhet në bregdetin e Gjirit Persik, ishte sulmuar edhe një herë më herët, gjatë këtij muaji nga rebelët Houthi të Jemenit. Edhe ai sulm kishte shkaktuar dëme.

Në një sulm tjetër ditën e djeshme, dy persona të tjerë u vranë nga copëzat e një droni që u rrëzua nga mbrojtja ajrore saudite, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SPA.

Droni ishte lëshuar nga rebelët Houthi të Jemenit dhe kishte si objektiv fushën e naftës “Shaybah”, e cila drejtohet nga kompania shtetërore saudite e naftës “Aramco”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite, arritën ta rrëzonin dronin përpara se të godiste objektivin.

Rebelët Houthi, të cilët mbështeten nga Irani, kanë shtuar kohët e fundit sulmet me dronë dhe raketa kundër objektivave në Arabinë Saudite, vend ku shumica e popullsisë i përket besimit sunit.

Sulmet e tyre kanë shkaktuar të vrarë dhe të plagosur, përfshirë edhe në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit saudit, Riad.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite mbështet qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht dhe ka kryer sulme kundër rebelëve Houthi.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj luftojnë kundër këtyre rebelëve prej më shumë se 10 vjetësh.

Lufta civile në Jemen, ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra njerëzve, si nga luftimet, ashtu edhe nga pasojat e tyre, si uria dhe mungesa e shërbimeve bazë.

Konflikti është përshkallëzuar sërish në kuadër të luftës që përfshin Iranin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›