E Diel, 1 Nëntor 2026

ARMENI - Përfundon konferenca e OKB-së për biodiversitetin, miratohet plani për mbrojtjen e natyrës deri në vitin 2030 - ATSH -

JEREVAN, 31 tetor /ATSH-DPA/- Konferenca e 17-të e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin (COP17) përfundoi sot në kryeqytetin armen, Jerevan, pas gati dy javësh negociatash mes përfaqësuesve të afro 200 vendeve.

Në qendër të diskutimeve ishte përshpejtimi i masave për mbrojtjen e natyrës dhe përmbushja e objektivave të përcaktuara deri në vitin 2030.

Një nga rezultatet kryesore të konferencës ishte miratimi i një plani veprimi, për të ndihmuar vendet të zbatojnë më shpejt angazhimet e tyre për mbrojtjen e biodiversitetit.

Katër vite më parë, vendet ranë dakord për 23 objektiva globale, mes të cilave edhe vendosjen nën mbrojtje të të paktën 30% të sipërfaqes tokësore dhe detare të planetit deri në vitin 2030.

Megjithatë, një raport i publikuar para konferencës paralajmëroi se këto objektiva nuk mund të arrihen pa përshpejtuar ndjeshëm zbatimin e masave.

Organizata mjedisore WWF e vlerësoi pozitivisht rezultatin e takimit, pavarësisht kompromiseve dhe angazhimeve më pak ambicioze sesa pritej.

Sipas përfaqësueses së saj, Heike Vesper, vendimi për një plan veprimi për përshpejtimin e objektivave deri në vitin 2030 është rezultati më i rëndësishëm.

Nga ana tjetër, “Greenpeace” – organizata ndërkombëtare e pavarur që merret me mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës – vlerësoi se, megjithëse konferenca përcaktoi një udhërrëfyes për zbatimin e objektivave globale, masat e miratuara nuk i përgjigjen sa duhet urgjencës së situatës.

Konferenca përfundoi një ditë më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›