ARMENI – Qeveria propozon projektligjin e anëtarësimit në BE

EREVAN, 9 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria armene paraqiti një projektligj në parlament, që i bën thirrje vendit të fillojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas agjencisë armene të lajmeve, Armenpress, kryeministri Nikol Pashinyan theksoi se ”qeveria është e përkushtuar të respektojë ligjin, por miratimi i tij nuk do të thotë automatikisht se Armenia ka vendosur të anëtarësohet në BE”.
”Sipas Kushtetutës sonë, vendimi për t’u bashkuar me BE-në ose ndonjë organizatë tjetër mund të merret vetëm me referendum”, tha Pashinyan.
Rusia është parë prej kohësh si një fuqi mbrojtëse e Armenisë në Kaukazin e Jugut, duke përfshirë konfliktin e Erevanit me Azerbajxhanin fqinj.
Por, marrëdhëniet midis Armenisë dhe Moskës janë ftohur, që kur Pashinyan erdhi në pushtet dhe filloi ta kthente vendin drejt Perëndimit.
Në dy përleshjet më të fundit të armatosura midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh, Rusia ka mbetur pasive, pavarësisht se ka një forcë paqeruajtëse të vendosur në zonë.
Vitin e kaluar, më shumë se 100 000 armenë u detyruan të largoheshin nga Nagorno-Karabakh pasi Azerbajxhani nisi sulme të rënda në rajon.
Armenia kohët e fundit ishte distancuar nga aleanca ushtarake e dominuar nga Rusia, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive./ /os/