VARSHAVË – Tusk: Netanyahu nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit

VARSHAVË, 9 janar /ATSH-DPA/- Polonia i sinjalizoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se ai nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit që shënon çlirimin e kampit të përqendrimit të Aushvicit.
“Çdo përfaqësues i udhëheqjes izraelite që dëshiron të marrë pjesë më 27 janar – mund të ndihet i sigurt dhe nuk do të arrestohet”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, pasi kabineti i tij ra dakord për vendimin.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant në fund të vitit të kaluar, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, Netanyahu tha pak javë më parë se ai nuk kishte planifikuar të merrte pjesë në përkujtimore.
“Izraeli do të përfaqësohet nga ministri i Arsimit”, sipas Tusk.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme polake tha gjithashtu se nuk kishte asnjë tregues se Netanyahu dëshironte të merrte pjesë në përkujtimore.
Delegacione nga 10 vende të ndryshme kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Nazistët vranë më shumë se 1 milion njerëz në Aushvic, kampi gjerman i vdekjeve.
Ata vranë rreth 6 milionë hebrenj në të gjithë Evropën gjatë Holokaustit. //a.i/