ARMO: Kemi plotësuar gjithë detyrimet ndaj shtetit
Kompania e naftës ARMO, duke marrë shkas nga deklaratat e kryetarit të opozitës ditën e djeshme në lidhje me kompaninë ARMO, ka reaguar duke informuar saktësisht opinion publik. Burime zyrtare të kësaj shoqërie, bëjnë me dije se kompania ARMO, në cilësinë e tatimpaguesit më të madh privat dhe kryesuesit të listës së privatizimeve strategjike me një vlerë prej 128,750,717 euro të paguara në datën 27/11/2008 që përkon me një muaj para afatit ligjor, deklaron se pavarësisht sfidave të përditshme të administrimit të një industrie kaq madhore, ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet kontraktuale si edhe ato në lidhje me Autoritetet Tatimore dhe Doganore të vendit.
“Ritheksojmë që kompania ARMO deri më sot jo vetëm që nuk ka asnjë detyrim të parapambetur dhe korent ndaj këtyre autoriteteve, por ka rritur nivelin e akcizës së deklaruar dhe paguar për 7-mujorin e vitit 2009 me një shifër rreth 1.4 herë në krahasim më të njëjtën periudhe të vitit të kaluar”, - thuhet në njoftim. Punonjësit e kompanisë ARMO që prej privatizimit prej më pak se një vit më parë, marrin pagën e rritur prej 30% çdo muaj dhe përveç pagës edhe bonuse që arrijnë vlerën e 10 milionë euro për arritjet e paparashikuara të kompanisë në shumë pak kohe, thuhet në komunikatën e kompanisë. Pas 30 vitesh ARMO sh.a hodhi në treg për herë të parë produktin “Eurodiesel” i certifikuar nga Inspektorati Qendror Teknik, duke arritur një standard të lartë produkti që do të çojë në rritjen ekonomike të kompanisë dhe të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit. Së fundi dëshirojmë të konfirmojmë që në themel të principeve të kompanisë sonë është ndërtimi i marrëdhënieve me administratën shtetërore të mbështetura në partneritetin dhe bashkëpunimin reciprok për të arritur rezultatet optimale për të dyja palët, theksohet në komunikatën e ARMO-s.
Ambasadori gjerman përuron hapjen e “Praktiker” në Tiranë
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt ka përuruar dje hapjen e një prej rrjeteve më të mëdha në DIY (Do it yourself) dhe në përmirësimin e shtëpisë, i cili do të jetë tashmë i pranishëm edhe në tregun shqiptar. Në Tiranë, “Praktiker” ka hapur dyert e tij për klientët shqiptarë dje, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë shumë personalitete nga politika e biznesi e ndër ta dhe diplomati gjerman. Ky do të jetë dyqani i parë shqiptar “Bëje vetë” (Do it yourself) dhe i përmirësimit të shtëpisë në një ambient me sipërfaqe prej 8.700 metrash katrorë (7000 zonë blerjesh) me mbi 120 punonjës. Kjo e pozicionon “Praktiker” si pionierin e këtij sektori në Shqipëri. Deri tani në tregun shqiptar nuk ka pasur asnjë format të tillë të shitjes me pakicë të krahasueshëm me atë që ofron “Praktiker”, as nga kompani shqiptare e as nga kompani të huaja. Hapja e dyqanit të parë në Tiranë përfaqëson një pikë të rëndësishme në strategjinë ndërkombëtare të “Praktiker Group”. Kjo përfaqëson edhe një risi për tregun shqiptar, pasi është hera e parë që konsumatorët do të kenë një hipermarket që ka në fokus shtëpinë, si edhe prezantohet filozofia e “Bëje vetë” (Do it yourself). Hipermarketi që do të hapet në Tiranë do të jetë hipermarketi i 104-t i “Praktiker” jashtë Gjermanisë dhe i pari në Shqipëri. Hipermarketi i “Praktiker” në Tiranë nuk do t’iu vijë në ndihmë vetëm ndërtuesve të nivelit profesional, por edhe atyre që duan të ndërtojnë, rinovojnë, pajisin ose dekorojnë shtëpitë dhe apartamentet e tyre vetë.