E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri mbi motor



Pas Romeos dhe Zhuljetës, nuk ka formë të dytë se si dashuria mund të jetë ngjitur në skenë, në një mënyrë kaq gjeniale, me kaq ndjeshmëri dhe pa rivalë. Sot, kur jeta ka një intensitet tjetër dhe kjo dashurie klasike pothuaj është larguar, ka ca njerëz, sidomos krijues, të cilët e kanë në koshiencë këtë dhe rreken për forma të tjera. Për forma të tjera të dashurisë, - na thotë koreografi Arjan Sukniqi, - i cili po përgatit një balet krejtësisht të patrajtuar në skenën tonë të Operës dhe Baletit, për ta dhënë premierë më 4 tetor.

“Tirana by night” është një formë e re baleti, ku posaçërisht të rinjtë, do të ngjiten në skenë me motor për të luajtur “gjelin më të fort”, të dashuruar që puthen diku në një cep të ndonjë godine, pse jo edhe çifte homoseksualësh tashmë të deklaruar lirshëm nëpër kryeqytet. Ky është vizioni i të rinjve se si sillen brenda një nate në metropol...

Intervistoi: Suela Furriku

Jeni ende në fazën përgatitore të një baleti, i cili pritet të vihet në skenën e Teatrit të Operës javës që vjen. Na tregoni diçka më shumë rreth këtij projekti...

“Tirana by night” ose ndryshe një natë në Tiranë është një shfaqje baleti që pritet të vihet së shpejti në skenën e operës dhe baletit. Është evidentuar që në fundjavë ka gjithmonë evenimente, ndërsa njerëzit i ndjekin për të kapërcyer paksa nga monotonia e ditëve të tjera javore. Shumë prej nesh vendosim që të shkarkojmë të gjitha ato energji që kemi mbledhur gjatë ditëve në aktivitete të ndryshme argëtuese në fundjave. Ne jemi munduar të sjellim në skenë një Tiranë sa më origjinale, me të mirat dhe problemet e veta, normale për një metropol, por në pikëpamjen artistike.

Si e keni trajtuar këtë skenar që shkëput pak nga jeta reale e kryeqytetit, Tirana?

Ne kemi menduar të sjellim një panoramë, se si ka evoluar Tirana deri ditëve të sotme. Do të vështrojmë pak mbrapa në kohë, pra gjendja e kryeqytetit, evoluimi i tij pas diktaturës, me ndryshimin e sistemeve. Prekim jetën e natës në Tiranë në fazat që qyteti ka kaluar deri në ditët e sotme, gjithnjë artistikisht.

Me çfarë detajesh keni menduar ta ilustroni jetën e natës në Tiranë?

Në Tiranë, ashtu si gjithkund, jeta dashurore nuk humb asnjëherë mes çiftesh, në Tiranë nuk mungojnë edhe paradat e të fortëve, e kam fjalën për djemtë që duan të tërheqin vëmendjen me motorë, duke performuar. Janë aktorët që do të dalin në skenë me motorë, për të krijuar sa më shumë origjinalitetin e pamjes së një Tirane reale, që ne mund ta ndeshim çdo natë. Kam kapur edhe dëshirat e larmishme të njerëzve për t’u argëtuar, qoftë edhe me ndonjë cep. Por në këto cepa mund të ndodhin shumë gjëra, si dashuri mes një çifti, apo homoseksualësh, gjë që shoqëria i pranon në një metropol si Tirana. Janë të përfshira në mënyrë të sintetizuara të gjitha këto fenomene brenda saj.

Tirana sa vjen e ndryshon dita-ditës, si një qytet në zhvillim, ndërkohë që ju vini në skenë veprën e kompozitorit shqiptar, Ermir Dergjini, kompozuar para disa vitesh. Tek cila “Tiranë” jeni mbështetur më së shumti, në atë të veprës së Dergjinit, apo keni shfrytëzuar përvojën personale...?

Ne jemi banorë të Tiranës, kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet. Aktivitetet e fundjavës, edhe unë, si të gjithë të tjerët, i përjetoj shpeshherë. I shohim, i prekim vetë shumë situata që trajtohen në subjektin artistik, që pritet të vihet më datë 4 nëntor në teatrin e operës.

Cili është objektivi i këtij baleti, pasi prek jetën reale kryeqytetase?

Qëllimi i gjithë kësaj vepre është që të tregojmë se Tirana jonë lëviz. Kjo është meritë e një zhvillimi shoqëror, si metropol që është. Jetojmë në një metropol dhe me një mentalitet shumë perëndimor.

A ju pëlqen Tirana, me gjithë lëvizjen e saj për të cilën ju po flisni?

Po, është shumë jetësore dhe e pashmangshme. Nuk mundesh të frenosh asgjë, sepse është një zhvillim në formën e një uragani, ku njerëzit kanë fiksuar atë recetën që gjatë gjithë javës të punojnë, ndërsa në fundjavë, sidomos natën të argëtohen sa më shumë. Është një mentalet i ri, që ka zaptuar shumë banorë. Nuk mund të jetë më ai ritmi i mëparshëm që e gjitha java është vetëm punë dhe vetëm televizioni apo radioja e thyente disi rutinën e këtij procesi periodik. Tirana tashmë po lëviz, po zhvillohet, është bërë shumë perëndimore, duke mos pasur shumë ndryshme me kryeqytetet e botës. Kjo është meritë e një emancipimi shoqëror, jo çështje individuale.

Mësova se me anë të kësaj shfaqjeje do të preken paksa edhe problemet e të rinjve...

Ky është një projekt që me insistimin e teatrit të operës, që ka si synim t’i përshtatet mentalitetit rinor, adoleshencës, pra është një lloj edukimi, por që serviret nëpërmjet skenës. Ne nuk do të theksojmë se cila është e mira dhe cila është e keqja, por duam të krijojmë një peizazh të lirë, që spektatori të bëjë një zgjedhje në mënyrë subjektive.

Një vepër që do të paraqitet në formën e baletit. A mund të na tregoni se si është menduar nga ana juaj si koreograf, trajtimi i kësaj shfaqjeje?

Për t’i qëndruar pak besnik edhe dashurive klasike, apo historive të dashurisë si të natyrës “Romeo dhe Zhuljeta”, të cilët ende deri më sot nuk njohin konkurrentë, në këtë mënyrë kemi menduar të sjellim shfaqjen në mënyrën më klasike. Jo se tani mungon dashuria, por ka marrë një tjetër formë paraqitjeje.

Cili është koncepti juaj klasik që keni ndjekur për këtë shfaqje baleti?

Koncepti klasik, në të cilin unë jam mbështetur është që njerëzit të argëtohen duke qenë brenda kornizave më maksimale të një qytetarie normale. Pa kaluar ekstremet, ne sjellim një lloj edukimi. Ne duam që spektatori në momentin që ndjek shfaqjen të fillojë të mendojë, të ndikohet në mënyrë autodidakte. Secili prej tij, mendoj se do të gjejë pak nga vetja e tij, në bazë të zgjedhjeve personale. Ne jemi të bindur që nga kjo formë baleti, do të japë efektin final. Më vonë TOB mund ta sjellë edhe më opera, me edukim muzikor, si prurje të reja që janë adaptuar nga shqiptarët, të cilat kanë avancuar shumë në të gjithë botën. I gjithë Perëndimi sot e ka vënë edukimin muzikor, baletin e mirëfilltë nëpër orë edukative.

Kjo është një vepër e kompozitorit shqiptar, Ermir Dergjini, pjesë e një repertori të rrallë sot nëpër skenat tona...

Kjo është vepër që ndjek strategjinë e teatrit të operës, pra për të vënë një vepër shqiptare kombëtare. Është një ide shumë e mirë, sepse janë kompozuar shumë vepra të huaja, pa fund, por në fund të fundit institucioni është kombëtar dhe domosdoshmërish kërkohen sa më shumë prurje shqiptare. Këtu nuk kërkohen të vihen vepra shqiptare, e për këtë jam dëshmitar.

Pse nuk i duam veprat e kompozitorëve shqiptarë?

Kjo ndodh për një sërë arsyesh. Ato nuk motivohen financiarisht. Pas një pune shumë voluminoze, e me një numër të lartë të grupit të punës dhe me një kohë shumë të gjatë, nuk na sigurohen as mundësitë optimale për të jetuar, e jo për të vënë pasuri. Ndërkohë që po të shohim anën tjetër të ndodhive në jetën e përditshme, dikush me dy këngë që nuk shkojnë më shumë se dhjetë minuta, paguhen më shumë se një opera e tërë.

Veprat e kompozitorëve të vjetër janë edhe “të infektuara” nga ideologjia e asaj kohe, përcjellin propagandën e sistemit. Si paraqitet përpunimi i këtij repertori? A është kjo një arsye që këto lloje veprash shikohen me indiferentizëm?

Kanë qenë vepra të menduara shumë mirë, jo vetëm bazuar në pikëpamje politike. Por, problemi është se me anë të veprave që sjell duhet të jesh edhe koherent në treg, i pranueshëm përballë konkurrencës. Nga ana tjetër, është edhe mungesa e një stimuli që instancat shtetërore t’i mbështesë me pagesa ekstra. Për të bërë një opera, është e nevojshme një kohë prej tre apo katër vjet. Por kjo është një fazë kalimtare, periudhë tranzicioni që do të kalohet si shumë vende të botës, por gjithsesi, fakti i rikthimit të një vepre shqiptare është një ogur shumë i mirë.

Ndërkohë që zëra qarkullojnë që veprat shqiptare janë lënë disi mënjanë edhe për efekte të bashkëpunimeve me të huajt...

Kjo është një fazë që bashkëpunimet me të huaj janë të nevojshme, por megjithatë ky aspekt është çështje këndvështrimi. Unë personalisht jam dakord. Bashkëpunimet mua më pëlqejnë, e siç është thënë, përfitojmë shkëmbim eksperiencash, vjen diçka ndryshe për të krijuar sa më shumë ngjyra dhe larmi për spektatorin. Në balet çdo gjë fillon dhe mbaron në institucion me shqiptarët.

Kjo është një vepër e vënë për herë të parë në skenë nga një kompozitor, i cili para pak kohësh është ndarë nga jeta. Si peshon përgjegjësia juaj mbi këtë shfaqje?

Është një vepër interesante, e cila ka shumë vështirësi në perceptime, por duke qenë afër me baletin besoj do të ketë një ngjizje të mirë e të efektshme. Përgjegjësia është shumë e madhe, sepse unë shikoj gjithçka me syrin tim dhe natyrisht si vepër jam i bindur se do të hapen diskutime. Kjo, pasi njerëzit do ta shikojnë në këndvështrime të ndryshme, e nëse do të hapen kundërshtime, të shahet, apo të lavdërohet, atëherë mendoj se vepra ia ka arritur qëllimit.

Një Tiranë në skenë. Si e shikoni ju Tiranën e sotme?

Unë personalisht edhe pse jam qytetar amerikan kam vendosur të jetoj në Tiranë. Për shumë arsye, pasi po ta shikosh Tirana është një qytet, i cili vetëm fliten fjalë të bukur, por ka mbetur si një fëmijë jetim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›