E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRSH: Asnjë dëmtim në urën e Matit, kufizimi i qarkullimit masë parandaluese

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar reagoi sot lidhur me disa lajme dhe artikuj të publikuar për kufizimin e qarkullimit në Urën e Matit, ndërsa informoi se nuk bëhet fjalë për asnjë çedim, dëmtim apo problem të ri strukturor të urës.

Kufizimi i vendosur, sipas ARRSH-së, është një masë e detyruar parandaluese, e ndërmarrë për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e urës.

Ura e vjetër e Matit, e cila së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje emergjente për përforcimin e themeleve, po përballon një fluks të konsiderueshëm qarkullimi, veçanërisht nga mjetet e tonazhit të rëndë që tejkalojnë masën e lejuar prej 13 tonësh.

Që prej hapjes së saj, ura është pajisur me sinjalistikën përkatëse, e cila lejon kalimin vetëm të mjeteve me tonazh deri në 13 tonë.

Megjithatë, ARRSH thekson se nga monitorimet në terren rezulton se kjo sinjalistikë nuk respektohet në mënyrë të përsëritur, duke krijuar një ngarkesë të panevojshme dhe duke rrezikuar në të ardhmen qëndrueshmërinë e strukturës.

Për këtë arsye, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka marrë masa shtesë për kontrollin e qarkullimit, duke vendosur elemente betoni në të dyja anët e urës, me qëllim parandalimin e kalimit të mjeteve të rënda që tejkalojnë kufirin e lejuar. Mjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin detyrimisht rrugën alternative.

“Theksojmë edhe një herë: kjo masë nuk lidhet me ndonjë çedim apo dëmtim të urës, por është një masë e domosdoshme sigurie dhe parandalimi, për të mbrojtur ndërhyrjen e kryer në themelet e saj dhe për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të strukturës”, thuhet në reagimin e ARRSH-së.

Në këtë kuadër, ARRSH bën thirrje që të mos spekullhet me çështje të tilla teknike dhe të mos keqinformohet publiku përmes artikujve apo deklaratave të pabazuara, të cilat krijojnë pa nevojë shqetësim te qytetarët.

“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, respektimin e sinjalistikës së vendosur dhe zbatimin e kufizimit për kalimin e mjeteve me tonazh deri në 13 tonë.
Siguria e qytetarëve dhe ruajtja e qëndrueshmërisë së infrastrukturës rrugore mbeten prioriteti ynë”, thekson ARRSH.

1 nga 3

/m.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›