ASD: 2,7 milionë llogari bankare në 11 bankat e nivelit të dytë

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në raportin vjetor për vitin 2024 evidenton rreth 2,7 milionë llogari bankare të hapura pranë bankave të nivelit të dytë.
Sipas relacionit që shoqëron këtë raport, vlera e depozitave në 11 bankat e nivelit të dytë, arriti në 1 trilionë e 275 miliardë lekë, me rritje 5,6% në raport me 2023-shit.
1,7 milionë llogari kanë deri në 2,5 milionë lekë kursime. Ndërsa 5% e totalit të qytetarëve që kanë llogari në bankë disponojnë 739 miliardë lekë kursime.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave bën të ditur se, kursimet u regjistruan në pjesën më madhe në monedhën kombëtare me 7.3%, ndërsa depozitat në monedhë të huaj u rritën me 3.9%.
Aktualisht në sektorin bankar 48.6% e kursimeve janë në lekë, 45.8% janë në euro, 3.7% në dollar dhe 1.9% janë në monedha të tjera. /j.p/