ASHK “derë më derë” për identifikimin e problematikave të qytetarëve, 1,000 banesa të evidentuara në Himarë

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka zgjeruar punën në terren për evidentimin e banesave me probleme në dokumentacionin e pronësisë, duke shtrirë procesin në 30 fshatra të vendit. Specialistët po shkojnë derë më derë për të identifikuar problematikat dhe për të ndihmuar qytetarët në plotësimin e dokumenteve të nevojshme.
55 subjekte duhet të dorëzojnë dokumentet që u mungojnë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë. Emrat e tyre dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë janë publikuar në portalin e ASHK duke u dhënë mundësi qytetarëve të informohen dhe të vijojnë procedurat përkatëse.
Prej kësaj të hëne, puna në zonën e Himarës është zgjeruar edhe në Kallarat, Vranisht, Bolenë, Tërbaç dhe Kuç, për të vijuar evidentimin në terren dhe trajtimin e rasteve sipas dokumentacionit dhe kushteve ligjore.
Grupet e specialistëve të Kadastrës kanë nisur së fundmi punën edhe në Bashkinë Finiq për evidentimin e banesave me probleme në dokumentacion. Pas përfundimit të evidentimit në terren në gjashtë fshatrat e para të Njësisë Administrative Finiq, ku u evidentuan 150 shtëpi, puna ka nisur në 10 fshatra të Njësisë Administrative Aliko.
Paralelisht, grupet e punës vijojnë aktivitetin në Velabisht të Beratit, në Leskovik dhe në fshatin Kus të Kasharit. Në Leskovik janë evidentuar rreth 250 banesa. Qasja e re derë më derë e Kadastrës vijon aktualisht në 30 fshatra të vendit, me synimin për të evidentuar banesat në terren, për të përshpejtuar procedurat e trajtimit të tyre dhe për të ndihmuar qytetarët në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Përmes kësaj praktike të re pune derë më derë, ASHK synon të shkojë pranë banorëve, të identifikojë nga afër problematikat e pronësisë dhe të lehtësojë plotësimin e dokumentacionit për qytetarët, duke i orientuar ata drejt hapave të nevojshëm për përfundimin e procedurave. Informimi i drejtpërdrejtë dhe verifikimi në terren mbeten pjesë thelbësore e procesit, në mënyrë që çdo rast të trajtohet mbi bazën e dokumentacionit përkatës dhe në përputhje me kërkesat ligjore.