ASHK nis formalizimin e 500 ndërtimeve informale përgjatë gjurmës së hekurudhës

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka njoftuar nisjen e procesit për formalizimin e ndërtimeve informale të pozicionuara përgjatë gjurmës së hekurudhës. Plani i trajtimit përfshin disa zona specifike urbane dhe rurale të Tiranës, ku janë evidentuar qindra objekte që preken nga ky proces koordinimi.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi se ka nisur procesi i trajtimit për formalizimin e ndërtimeve informale në zonat përgjatë gjurmës së hekurudhës, duke përfshirë Njësitë Administrative 9 dhe 11, si shto zonat e Mëzezit, Katundit të Ri dhe Kasharit. Sipas njoftimit, procesi parashikon trajtimin e rreth 500 objekteve të identifikuara në këto zona.”, thuhet në njoftim.
Përcaktimi i gjurmës dhe verifikimet në terren
Për të mundësuar këtë fazë, ASHK ka bashkëpunuar me ndërmarrjen e hekurudhave për të saktësuar kufijtë e kalimit të linjës trenore, duke vënë në lëvizje strukturat vendore të kadastrës për të nisur inspektimet e drejtpërdrejta.
“Në bashkëpunim met hekurudhën shqiptare është përcaktuar me saktësi gjurma e hekurudhës, çka ka mundësuar evidentimin e plotë të ndërtimeve të pozicionuara përgjatë saj. …Drejtoritë Vendore Tiranë Veri dhe Tirana Rurale 2 kanë nisur verifikimet në terren dhe po trajtojnë çdo objekt të ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit, që plotëson kushtet ligjore për legalizim, pavarësisht nëse është kryer apo jo vetëdeklarimi në periudhat e mëparshme”, njofton ASHK.
Mundësitë e reja për objektet e pavetëdeklaruara
Sipas procedurës së deklaruar nga institucioni, qytetarët që nuk kanë kryer aplikimet në fazat e mëparshme administrative do të kenë mundësi të përfshihen në proces direkt nga terreni, mjaftueshëm që ndërtimi të jetë kryer brenda afateve që njeh ligji.
“Për objektet e ndërtuara brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe që nuk janë vetëdeklaruar më parë, qytetarët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin përkatës gjatë verifikimeve në terren dhe të kryejnë pagesën e shërbimit, duke mundësuar nisjen e menjëhershme të procedurave të trajtimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.”, sqaron njoftimi.
Në mbyllje të njoftimit, ASHK sqaron se ky operacion kërkon angazhimin e vetë banorëve për të shmangur vonesat procedurale gjatë kontrolleve teknike të secilës godinë.
“Procesi i legalizimit përfshin verifikim të detajuar në terren për secilin objekt, ndaj bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor për përshpejtimin dhe përfundimin e procedurave. Ftojmë banorët e rreth 500 objekteve të identifikuara në zonat përgjatë hekurudhës të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit, për të garantuar një proces të shpejtë, të saktë dhe transparent legalizimi.”, mbyllet njoftimi.
/rtsh.al/