Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi takim në Komandën Mbështetëse, fokus te logjistika dhe Emergjencat Civile
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka zhvilluar një takim në ambientet e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ministri vuri në dukje rëndësinë e kësaj strukture në menaxhimin e situatave të krizave dhe operacioneve të ndryshme në terren.
Sipas kreut të dikasterit të mbrojtjes, prioritet i strukturave ushtarake mbetet modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale për t’iu përgjigjur nevojave të popullatës.
“Fokusi mbetet i pandërprerë për rritjen e investimeve logjistike, infrastrukturore dhe kapitalit njerëzor, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, rritjen e gatishmërisë, reagimin efektiv dhe sa më pranë qytetarëve në përballimin e emergjencave të ndryshme civile, situatat e zjarreve, operacionet humanitare”, shkruan Nufi.
/rtsh.al/