E Enjte, 5 Nëntor 2026

ATHINË – Evakuime masive pas përhapjes së zjarreve në malin Penteli

ATHINË, 12 gusht /ATSH-ANA/- Zjarri që shpërtheu në Varnavas dje pasdite ka vazhduar të përhapet në Atikën Lindore sot në mëngjes, duke u ndezur në një front që shtrihej më shumë se 20 kilometra për shkak të erërave të forta të pandërprera.

Sipas një përditësimi, përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë jashtëzakonisht të vështira pasi era vazhdon të ndryshojë drejtim, ndërsa tre frontet kryesore problematike janë në Grammatiko, Penteli dhe vendbanimi Anatoli në Nea Makri.

Rreth 560 zjarrfikës janë dislokuar, me 16 ekipe komando pyjore dhe 177 automjete, ndërsa nga ajri po operojnë 32 avionë (17 avionë dhe 15 helikopterë).

Që në orët e para të mëngjesit janë dhënë urdhra evakuimi për zonat e Nea dhe Palia Penteli, Drafi, Dioni, Damarasi, Daou Penteli, Agios Spiridonas dhe Anatoli në Nea Makri.

Autoritetet kanë evakuuar gjithashtu dy spitale në Penteli dhe manastiret e Agios Efraimit dhe të Pentelit.

Policia ka ndihmuar në evakuimin e dhjetëra personave të rrezikuar nga zjarret.

Një zjarrfikës mbeti i plagosur gjatë shuarjes së zjarrit në Maraton, duke pësuar djegie të shkallës së dytë në duar dhe këmbë, i cili u dërgua fillimisht në qendrën shëndetësore të Nea Makrit dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Forcave Ajrore.

Burimet e shërbimeve të mbrojtjes civile thanë se nëntë helikopterë po operonin në zonat Dioni dhe Kallitechnoupoli për të shuar zjarret, ndërsa shtatë aeroplanë po operonin në Grammatiko. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›