UASHINGTON – SHBA rrit praninë ushtarake në Lindjen e Mesme

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, tha Pentagoni.
Më herët, sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin zhvilloi nje bisede telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
“Sekretari Austin përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin – dhe vuri në dukje forcimin e pozicionit dhe aftësive të forcave ushtarake amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve rajonale”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
“Austin ka urdhëruar “USS Abraham Lincoln Carrier Strike Group”, të pajisur me avionë luftarakë F-35C, të përshpejtonte kalimin e tij në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore”, tha Ryder.
Ai kishte porositur gjithashtu “USS Georgia” – një nëndetëse e klasit Ohio dhe anija e dytë e Marinës Amerikane që emërtohet për shtetin amerikan të Xhorxhisë – në rajonin e Komandës Qendrore – që përfshin Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe pjesë të Azisë Jugore.
“Austin dhe Gallant diskutuan gjithashtu operacionet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe rëndësinë e zbutjes së dëmit civil, progresin drejt sigurimit të një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë”, shtoi Ryder.
Në fillim të muajit, Austin njoftoi se SHBA-ja do të zhvendoste një skuadrilje avionësh luftarakë dhe kryqëzorë dhe shkatërrues shtesë – të aftë për mbrojtje nga raketat balistike – në Komandën Evropiane të SHBA-së dhe Komandën Qendrore të SHBA-së.
Tensionet në rajon janë rritur pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut dhe shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.
Zyrtarët e lartë amerikanë kanë minimizuar rreziqet e një përshkallëzimi të armiqësive në Lindjen e Mesme, duke thënë se përshkallëzimi nuk është as i pashmangshëm dhe as i afërt. //a.i/