E Enjte, 5 Nëntor 2026

AZHBR publikon listën e aplikantëve të kualifikuar

 

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) publikoi të premten  listën e aplikimeve të kualifikuara nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022.

Sipas AZHBR-së, 5164 fermerë janë kualifikuar në gjashtë masat mbështetëse ku përfshihen sektorët: fara fidanë; bimë mjekësore; ferma organike; certifikimi Global GAP; blegtori; bletari.

Në përputhje me udhëzimin e ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, listat janë të publikuara në faqen zyrtare të AZHBR ku gjendet edhe informacioni për plotësimin e dokumentacionit, që duhet të kryejnë aplikantët e kualifikuar.

AZHBR njofton se vija e financimit do të ulet në përputhje me buxhetin që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si institucion përgjegjës për alokimin e buxhetit, do të akordojë për skemën mbështetëse në vijim.

Për çdo informacion të nevojshëm mbi aplikimet fermerët, mund të informohen pranë Agropikës më të afërt.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, adreson një fondi prej 3,7 milionë lekë, subvensione për fermerët.

Rreth 60 mijë fermerë kanë aplikuar online në e-Albania për të qenë fitues në një prej 13 masave të financimit direkt që qeveria jep në mbështetje të fermerëve në bujqësi e blegtori.

Skema mbështetëse për fermerët 2022 u shtri në të gjithë vendin, në datat 24 shkurt deri më 30 mars 2022, ku fermerët aplikuan paralelisht edhe për skemën mbështetëse për naftë falas.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›