Vazhdon rritja e çmimit të karburanteve

Në Shqipëri Bordi i Transparencës publikoi të premten çmimet e reja pas rritjes në bursën ndërkombëtare.
Sipas vendimit, një litër naftë me pakicë do të tregtohet me 235 lekë për litër, nga 226 lekë për litër që ishte deri tani.
Është rritur më lehtë çmimi edhe për benzinën. Një litër benzinë me pakicë do të shitet me 211 lekë për litër, nga 209 lekë për litër që ishte deri tani.
Çmimi i gazit mbetet i pandryshuar, që do të thotë një litër gaz do të tregtohet me 115 lekë për litër. Këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës.