E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Abazoviç thirrje presidentit të ri Milatoviç: Anulo datën e zgjedhjeve që caktoi Gjukanoviçi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka deklaruar se presidenti i ri i sapozgjedhur duhet të anulojë vendimin e kreut të shtetit në detyrë, Milo Gjukanoviç për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Sipas Abazoviçit, presidenti i ri, Jakov Milatoviç duhet të anulojë vendimin për datën e zgjedhjeve dhe të mbledhë të gjithë aktorët politikë për të caktuar datën e re të zgjedhjeve parlamentare. 

Abazoviç ka sugjeruar që zgjedhjet të mbahen në fund të qershorit, përpara përfundimit të sezonit politik.

 “Mund të mbahen në fund të qershorit”, tha Abazovic në një intervistë për TV Prva.

Abazoviç vuri në dukje se vetëm presidenti i ri i cili është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe deputetët që janë zgjedhur në po atë mënyrë “mund të përcaktojnë bashkërisht datën e zgjedhjeve”.

“Nuk mendoj se është mirë që Gjukanoviç t’i shkarkojë deputetë kështu, është e papranueshme”, tha Abazoviç, shkruajnë mediat malazeze. 

Pas miratimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjukanoviç shpalli datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, duke caktuar si datë; 11 qershorin.

Por Abazoviç ka kërkuar që presidenti i ri të anulojë këtë datë dhe të caktojë një datë tjetër duke gjetur më parë konsensusin e të gjithë aktorëve politikë të Malit të Zi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›